Në dy javë mbi 1 milion qytetarë largohen nga Ukraina

07/03/2022 18:17

Nga fillimi i pushtimit rus, më shumë se një milion e gjysmë njerëz janë larguar nga Ukraina. Krahasuar me vitin 2015 që shënoi një nga flukset më të mëdha të emigrantëve shkaktuar nga lufta në Siri, ku 1.3 milionë njerëz mbërritën në Evropë brenda një viti. Në dy javë, më shumë se dyfishi i njerëzve që mbërritën në Itali nga deti në tetë vitet e fundit, u larguan nga Ukraina.

Luftërat ballkanike në vitet 1990 sollën miliona refugjatë, por brenda një dekade dhe në drejtime të ndryshme.

Krahasimi që po merret më shumë për bazë është me emigracionin e detyruar që ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është kriza e refugjatëve që Evropa shpresonte të mos e përjetonte më kurrë”, shkruan The Economist.

Shumica e këtyre njerëzve, rreth një milion, kanë mbërritur në Poloni. Ky vend i përket Bashkimit Evropian edhe pse vitet e fundit ka pasur një qëndrim shumë armiqësor ndaj azilkërkuesve të ardhur nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Mirëpo, Polonia nuk është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që mirëpret refugjatët ukrainas. Më shumë se 180 mijë kanë mbërritur në Hungari, rreth 128 mijë në Sllovaki dhe pak më shumë se 82 mijë në Rumani.

Në Moldavi, një vend i vogël, shumë i varfër i shtrirë mes Ukrainës dhe Rumanisë, kanë mbërritur rreth 80 mijë refugjatë, që është një e gjashta e popullsisë së kryeqytetit Kishinau.

“Sot, një në tetë fëmijë në territorin moldav është refugjat” tha të hënën kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita për CNN.

Shifrat po ndryshojnë vazhdimisht, siç thekson edhe agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR), e cila po i mbledh ato në një faqe publike që e përditëson çdo ditë.

Ne po bëjmë çdo përpjekje që informacioni i marrë të verifikohet”.

Njerëzit po largohen me automjete private, furgona ose trena. Ukraina ka një rrjet hekurudhor shumë të zhvilluar, është vendi i 13-të në botë për gjatësinë e hekurudhave dhe pavarësisht disa dëmeve të pësuara nga ushtria ruse, trenat e pasagjerëve ende udhëtojnë në pjesën më të madhe të vendit.

Këto ditë, drejtuesit më të lartë të Ukrzaliznytsia, kompania shtetërore e hekurudhave, raportojnë drejtpërdrejt te Ministri i Transportit dhe presidenti Volodymyr Zelensky.

Përveç vështirësive dhe rreziqeve të funksionimit të shërbimit gjatë një lufte, Ukrzaliznytsia duhet të përballet me një numër të madh pasagjerësh. Duke folur me Business Insider, kompania tha se qendra e rëndësishme hekurudhore e Lviv është mësuar të përballojë mes 5 deri në 6 mijë njerëz në ditë, kohët e fundit shifra është dhjetëfishuar.

Në këtë fazë, udhëtimi në vende të tjera përveç Rusisë apo Bjellorusisë, aleatit të saj të ngushtë, të paktën lehtësohet nga fakti se rrugët dhe rrugët hekurudhore që të çojnë në Poloni, Rumani, Hungari, Sllovaki dhe Moldavi ndodhen në perëndim të vendit, pra zona që aktualisht është kursyer nga luftimet më të ashpra.

Sapo mbërrijnë në vendet kufitare, refugjatët trajtohen nga shumë vullnetarë dhe shoqata që u garantojnë ushqim, strehim dhe veshmbathje. Në Poloni, për shembull, diskutohet shumë për faktin se të paktën deri në ditët e fundit, pritjet e para të refugjatëve pothuajse iu besua komplet OJQ-ve.

Për momentin, refugjatët ukrainas po përpiqen të bashkohen me të afërmit e tyre që jetojnë në vendet kufitare ose në Evropën Perëndimore. Por, përshtypja e shumë njerëzve është se jemi vetëm në fillim të një fluksi të madh emigrantësh. Komisioni Evropian ka vlerësuar se deri në 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina në pesë muajt e ardhshëm.

Në një intervistë për gazetën La Repubblica, shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi, argumenton se në ditët e para të pushtimit rus, familjet e klasës së mesme ukrainase u larguan. Sipas tij, problemet e vërteta do të vijnë më vonë, nëse bombardohen qytetet e tjera. Më pas do të shohim njerëz që kërkojnë të largohen dhe që kanë shumë pak para dhe lidhje jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA