Arrestohet burri që goditi me kamion hyrjen e ambasadës ruse në Dublin (video-fotot)

07/03/2022 16:57

Policia në kryeqytetin irlandez Dublin, tha se ka arrestuar një burrë që goditi hyrjen e ambasadës ruse me kamionin e tij teksa ecte me marshin e sprapsjes.

Burri kishte pranuar më pas për të pranishmit se kishte vepruar qëllimisht duke u thënë atyre “E bëra pjesën time” si protestë ndaj ofensivës ushtrake ruse në Ukrainë.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin shoferin që sprapsej me mjetin e tij drejt portës së ambasadës, teksa një dëshmitar brohoriste në formë mbështetjeje.


Sipas lajmit të raportuar në Irish Times, shoferi doli më pas nga mjeti duke u shpërndarë fletushka anti-ruse kalimtarëve.

Ai tha se dëshironte që ambasadori rus në Irlandë, Yury Filatov të “largohet nga vendi.”

Shoferi më pas u arrestua dhe policia tha se po hetohet për dëme kriminale.

Ambasada ndodhet në jug të kryeqytetit irlandez dhe ka qenë skena e disa protestave të vogla  dhe incidenteve të vandalizmit.

Filatov ka thënë se Irlanda është e përfshirë në shumë “evente anti-ruse” dhe ka akuzuar mediat irlandeze për njëanësi në përshkrimin e konfliktit që vijon.

FOTO GALERI
1/3
Policia në kryeqytetin irlandez Dublin, tha se ka arrestuar një burrë që goditi hyrjen e ambasadës ruse me kamionin e tij

Top Channel