Dy ditë para zgjedhjeve të 6 marsit, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka dalë në konferencë para mediave duke treguar se cilat janë disa nga problematikat që kanë hasur.
Sa i përket zonave në Shkodër ku janë hasur probleme me shpërndarjen e bazës materiale për shkak të kushteve atmosferike, Celibashi tha se ka pasur një kërkesë nga kryebashkiakja në detyrë Voltana Ademi për zhvendosje të tyre por kjo nuk mund të bëhet për sa kohë ligji nuk e parashikon.
Celibashi: Jemi në procesin e finalizimit të emërimit të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit. Kemi probleme në këtë proces po sjell në kujtesë edhe praktikën e zgjedhjeve të shkuara, besoj se sot pasdite, ky proces do të finalizohet. Maksimumi nesër paradite do të kemi anëtarët e komisioneve në KZAZ.
Edhe në këto zgjedhje do të bëhet identifikimi elektronik i votuese dhe në bashkinë Vorë do të zhvillohet votimi elektronik. Për shpërndarjen e bazës materiale, kemi dhe mund të kemi probleme në disa zona të thella të Shkodrës, në disa njësi administrative të Shkodrës. Kemi patur në fakt një kërkesë nga ana e kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër për të bërë transferimin e qendrave të votimit nga këto zona ku ka vështirësi në zona në rrethina të Shkodrës.
Kjo kërkesë edhe pse ka qenë e arsyeshme, përsa kohë nuk gjeti mbështetjen në ligj, nuk e miratonim dot zhvendosjen e tyre 50 km larg. Ky është një problem të cilin duhet ta adresojë reforma e pritshme zgjedhore. Gjithsesi problematika ngelet, të paktën në 2 zona të thella të bashkisë së Shkodrës.
Top Channel