Roman Abramovich nuk është më presidenti i Chelsea. Manjati rus bleu klubin londinez në vitin 2003 dhe gjatë këtyre viteve fitoi 21 trofe: ku bien në sy 5 Premier League, 2 Champions League, 2 Europa League, 1 Superkupa Europiane, 1 Botëror për Klube, 5 FA Cup, 3 Kupa Lige dhe 2 Superkupa të Anglisë.
DEKLARATA E ABRAMOVICH
“Do të doja të trajtoja spekulimet në media gjatë ditëve të fundit në lidhje me pronësinë time të Chelsea FC. Siç e kam thënë më parë, gjithmonë kam marrë vendime në interesin më të mirë të Klubit.
Prandaj, në situatën aktuale, kam marrë vendimin për të shitur Klubin, pasi besoj se kjo është në interesin më të mirë të Klubit, tifozëve, punonjësve, si dhe sponsorëve dhe partnerëve të Klubit.
Shitja e Klubit nuk do të jetë e shpejtë, do të ndjekim një proces të rregullt. Unë nuk do të kërkoj të shlyhet asnjë kredi. Chelsea nuk ka qenë kurrë biznes për mua, por pasion i pastër.
Për më tepër, unë kam udhëzuar ekipin tim të krijojë një fondacion bamirësie ku të dhurohet fitimi neto nga shitja. Fondacioni do të jetë për të mirën e të gjithë të të prekurve të luftës në Ukrainë.
Kjo përfshin sigurimin e fondeve kritike për nevojat urgjente dhe të menjëhershme të të prekurve, si dhe mbështetjen e punës afatgjatë të rimëkëmbjes. Ky ka qenë një vendim tepër i vështirë për t’u marrë dhe më dhemb që të ndahem me Klubin në këtë mënyrë.
Megjithatë, besoj se kjo është në interesin më të mirë të klubit. Shpresoj se do të jem në gjendje të vizitoj ‘Stamford Bridge’ për herë të fundit për t’ju thënë lamtumirë të gjithëve personalisht.
Ka qenë një privilegj i jetës të jem pjesë e Chelsea FC, dhe jam krenar për të gjitha arritjet tona të përbashkëta. Klubi i futbollit Chelsea dhe mbështetësit e tij do të jenë gjithmonë në zemrën time”.
Top Channel