Në Kamzë, historia e 3 vajzave në klasën e nëntë është bërë objekt hetimi nga organet e drejtësisë, pasi secila prej tyre ka tentuar të prese damarët.
Njëra prej tyre, këto të dhëna i ka publikuar në “Snapchat”.
Në trupin e nxënëses së parë që po trajtohet nga një psikiatër, sipas policisë së Kamzës që dyshohet se ka inspiruar edhe dy shoqet e saj, u konstatuan shenja në parakrahun e majtë dhe shpime në bark, që e mitura ka pranuar që i ka kryer me dëshire. Këto shenja ajo më pas i ka publikuar në “Snapchat”.
Policia i thotë Top Channel se ka kqyrur rrjetet sociale dhe nga dëshmitë e shumta ka dyshime se e mitura e parë është rënduar psikologjikisht mbas divorcit të prindërve, burgosjes së babait dhe vdekjes së gjyshit. Nxënësja ka deklaruar se e kreu këtë veprim për t’ju shmangur provimit të gjuhës. Ndërsa psikologët kanë përpiluar një raport të hollësishëm, duke e vendosur nxënësen nën observim, më pas në të njëjtën shkollë janë zbuluar edhe dy raste të tjera.
Bëhet me dije nga burimet se në datën 10 shkurt është identifikuar nxënësja e dytë që kishte bërë shenja në parakrah dhe më pas edhe e treta që kishte shenja si të prerjes në të dy krahët. Në këto kushte, policia shpjegon se ka marrë në pyetje fëmijët që tregojnë se i kryen veprimet mbasi panë shoqen e tyre që nuk u jepte shpjegim, por vetëm qeshte.
Burimet tregojnë se nxënësit kishin një grup në “Snapchat” dhe në një rast, njëra prej tyre ka paralajmëruar vdekjen . Por nxënësit, që ishin anëtarë në këtë grup, këmbëngulin se asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar veprime të tilla . Top Channel kërkoi reagim për situatën edhe nga shkolla 9-vjeçare edhe nga Ministria e Arsimit, por asnjëra prej tyre nuk e sqaroi situatën, duke argumentuar se kjo është një çështje hetimore.
Top Channel