Mes imazheve ‘dramatike’ për konfliktin në Ukrainë rrjetet shpërndajnë simulime nga ‘video-game’ (foto-video)

25/02/2022 17:39

Alarmi për konfliktin në Ukrainë duket se ka bërë që mes pamjeve “dramatike” të ilustrimeve, të jenë përfshirë dhe imazhe nga lojrat e njohura online si ‘Arma III’ apo ‘Digital Combat Simulator’, të cilat po qarkullojnë online si “video nga Ukraina”

Tashmë një pjesë e videove që po qarkullojnë janë denoncuar si të rreme, të ardhura nga lojrat e luftës së simuluar në rrjet.

Një raport i revistës Bloomberg ka zbuluar se disa nga pamjet më të shikuara rrjetit të lojrave në Facebook, po shpërndahen si “pamje nga terreni për konfliktin ushtarak në Ukrainë”.

Disa prej videove të rreme ishin shikuar më shumë se 110,000 herë dhe shpërndarë më shumë se 25,000 para se te raportoheshin si të tilla e të fshiheshin, thotë rrjeti.

Por me masën e përhapjes së tyre ato shpesh përfundonin në rrjetet të tjera sociale me tituj si ‘Ukraina lëshon raketa kundër avionëve rusë’ apo ‘Luftë e ashpër në qiejt e Ukrainës’.

Në një prej videove më evidente shihej një avion ushtarak që bombardonte duke iu shmangur  zjarrit të pandaluar të sistemeve mbrojtëse, që më pas rezultoi e marrë nga loja simuluese ushtarake ‘Arma III’.

Një tjetër video e shpërndarë sot (e premte) supozohej të tregonte luftë ajrore mes një avioni ukrainas MiG-29 dhe një gjuajtësi rus SU-35, ku ky i fundit shkatërrohej nga një raketë.

Një koment në anglisht në rrjetin Twitter, lavdëronte pilotin e njohur si “famtazma e Kievit” – që sipas lajmeve vendase “ka rrëzuar 6 avionë rusë”.

Por në fakt pamjet vinin nga programi ‘Digital Combat Simulator’, për të cilin prodhuesi i modeleve tha se megjithse ato mund të duken realiste, theksojnë problemin e përhershëm me rrjetet sociale dhe informacionin në kushtet e konfliktit në Ukrainë.

Në epokën e klikimeve me pagesë, frikës publike dhe urisë për “informacion” në momente paniku, mjaft dezinformim apo përshkrime të pasakta, paraqiten si situatë e vërtetë në terren.

FOTO GALERI
1/3
Te tjera pamje te denoncuara si te rreme

Top Channel