I konsideruar që prej viteve 2000 një hot spot i rrezikshëm mjedisor, kjo është situata alarmante në të cilën ndodhet ish kompleksi i Superfosfatit në Laç sot.
I braktisur dhe i lënë në mëshirë të fatit, duke u kthyer në një kërcënim serioz për të gjithë zonën. Mbetjet toksike, edhe tre dekada pas fikjes së oxhakëve, janë të dukshme.
Këto janë depozitat e piritit, një lëndë e cila përdorej për shplajen e bakrit dhe më pas përdorej edhe në procese të tjera
Ekspozimi ndaj agjentëve atmosferikë, bën që këto lëndë të rrezikshme të përhapen me shpejtësi duke kontaminuar gjithë zonën. Kanalet e kullimit janë bllokuar dhe si pasojë ujrat e ndotur e përshpejtojnë këtë proces të rrezikshëm.
Banorët në vështirësi ekonomike kanë marrë hekurat, tullat dhe ose i kanë shitur ose i kanë përdorur për të ndërtuar banesat e tyre, duke i futur helmet brenda në shtëpi.
Banorët e zonës konfirmojnë një fakt tronditës. Rreth viteve 2000, tullat zjarrduruese, me të cilat ishin veshur oxhaqet e acidit ua shisnin furrave të bukës me një çmim shumë të lirë. Më këto tulla ata vishnin furrat e pjekjes. Pra, janë përdorur tulla rreptësisht të ndaluara që për shkak të ndotjes së akumuluar, jane të rrezikshme.
Efektet mbi shëndetin e banoreve që jetojnë në zona të tilla të kontaminuara janë afatgjata dhe nuk duken menjëherë. Ata fillojnë e shfaqen kohë më vonë. Madje, mund edhe të trashëgohen tek fëmijët.
“Shumë nga banorët që jetojnë në zona që kanë ndotje të tilla industriale kryesisht metale të rënda, mund të kenë pasoja mbi brezat e rinj, mund të kenë keqformime kongjenitale, keqformime e bebeve gjatë shtatzanisë” u shpreh Mihallaq Qirjo, drejtor qëndra Rec
Top Channel