Top Channel ishte e vetmja media shqiptare që arriti të shkonte në Ukrainë për të përcjellë për gjashtë ditë se çfarë ndodhte nga afër në frontin e një lufte që pritet të nisë nga momenti në moment.
Gazetari i Top Channel që ishte në Ukrainë dhe pati mundësinë të prekte nga afër gjithë gjendjen e vështirë në të cilën ishte Ukraina, i ftuar në Open tha se në lindje të Ukrainës kishte luftë prej 8 vitesh dhe se qytetarët zgjoheshin çdo mëngjes nga breshëritë e armëve.
Veliu theksoi se ka një kontrast të madh mes Kievit dhe lindjes së Ukrainës, por edhe kryeqytet tensioni sa vjen edhe shtohet dita ditës.Ai gjithashtu përmendni se në zonat e lindjes kishte shumë pak banorë, ndërsa ata zgjoheshin çdo mëngjes nga breshëria e armëve të dy palëve të ushtrisë, ruse dhe asaj ukrainase.
Sipas informacioneve të fundit, përcjell gazetari Veliu, ukrainasit kanë filluar të blejnë radio, sepse sulmit ushtarak mund t’i paraprijë një sulm i gjerë dhe i ashpër kibernetik.
“Ka një kontrast të madh me atë që ndodh në Kiev dhe në lindje të Ukrainës. Në Kiev është një jetë normale, njerëzit ishin me radhë të gjata për të parë operën ‘Romeo dhe Zhulieta’, kurse në lindje ndjehet lufta, atje shikon ushtarë në rrugë. Atje ka prezencë ushtrie pasi Rusia pushtoi Krimenë. Ka shtëpi të boshatisura, pallat me 30- 40 apartamente dhe mund të shikoje vetëm dy drita ndezur. Ne ishim në një fshat shumë afër me vijën e luftës, me 300 familje, por tashmë kishte vetëm 10. Atje nuk shikoje këmbë njeriu dhe e vetmja shenjë jete ishte një qen që lehte herë pas here. Në veri të Doneskut në njërën anë ishin forca të ushtrisë ukrainase që stërviteshin dhe në anën tjetër 200 metra më larg ishin rusët.
Gjuhej herë pas herë sidomos natën. Në lindje të Ukrainës ka 8 vite që ka luftë, ka përditë, njerëzit zgjohen çdo mëngjes nga breshëritë e armëve, kurse në Kiev tensioni sa vjen edhe shtohet. Zelensky është munduar t’i qetësojë qytetarët, që ekonomia të mos ndikohet, por ka filluar të ndjehet aroma e luftës. Ka një grup i quajtur Forca Territoriale Mbrojtëse e Ukrainës së cilës u janë bashkuar mijëra qytetarë dhe stërviten si të hedhin granata, të japin ndihmën e parë. Ata kanë filluar të blejnë radio, sepse sipas informacioneve sulmit ushtarak do t’i paraprijë një sulm i gjerë kibernetik”, tha Veliu.
Ukraina dhe Rusia ndodhen në një situatë të pazakontë, ndërsa javët e fundit gjendja është tensionuar. Mbi 100 mijë ushtarë rus janë pozicionuar në kufi të Ukrainës të ndarë në tre fronte, ndërsa vetëm një urdhër nga Putin mund të sjellë luftë.
Gjatë zhvillimeve të fundit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i sugjeroi Presidentit Vladimir Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të marrë garanci nga Perëndimi.
Lavrov i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur propozime konkrete për reduktimin e rreziqeve ushtarake, por tha se përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishin të kënaqshme.
Lavrov tha se kishte marrë përgjigje “të pakënaqshme” për një letër që ai u dërgoi dhjetëra anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për çështjen e “sigurisë së pandashme”, një referencë për ankesën e Rusisë se Ukraina dhe vendet perëndimore po forcojnë sigurinë e tyre në kurriz të Rusisë dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky lëshoi një deklaratë ku shprehu frikën për mundësinë e një pushtimi të Ukrainës më 16 shkurt.
Top Channel