Ky roman shënon një sprovë të rëndësishëm për letërsinë feministe shqiptare: Eralda Baze vjen me librin e parë për lexuesit, por përmes këtij romani shpalos mjeshtri në rrëfim, guxim në thyerjen e tabuve, zhdërvjelltësi në ngritjen në art të gjuhës dhe mendësisë së “rrugës”, kulturë në profilizimin e realitetit dhe personazheve, sidomos femrave, – të cilat kthehen në viktima të një bote të egër dhe tejet intrigante.

Me të drejtë botuesi, me një kurajo dhe siguri që ia jep vetë përmbajtja e tekstit, në përthyerjen e kopertinës së parë ka aluduar pikërisht edhe mundësinë e të bërit “best seller” të romanit. Vërtetë ky është libri i parë i Bazes, por me plot gojën mund të them se edhe për lexuesin është një eksperiencë e parë kësisoji që ndesh në një stil dhe përqasje krejt autentike.

Struktura romaneske është e çimentuar, personazhet të latuar mjeshtërisht. Ngjarjet vijnë natyrshëm si në një realitet të parathënë, ku ironia, humori i skajshëm (i denjë për George Orwell) njohja shumë e mirë e shqipes si dhe sensi i masës, flasin për një autore me një bagazh të rëndësishëm dijesh dhe formash narrracioni, në të cilin sigurisht që nuk depertojnë dot vetëm dedektorët metalikë të Aeroportit të Kajros.

Romani është një vepër thellesisht shpirtërore dhe humane. Një histori dehëse dhe piedestalike, një histori dashurie gjithë plagë, brenga, kumte, zhgënjime dhe rrënime… Të gjitha këto bëjnë që ti shkosh romanit deri në fund me një shpejtësi leximi, ku e ku disa fish më të lartë së makinat e vjetra të Kajros apo benzat e shtrenjtë të Tiranës.

Personazhi kryesor i romanit që rrëfen vetveten, Era e tregon historinë e lidhjes me Miladin, egjiptianin e pamundur, me një thjeshtësi të jashtëzakonshme dhe me një humor akrobatik që të mban gjithë kohës në gatishmeri se cila do të jetë fjalia e rradhës dhe se në cilin prej labirinteve të panjohura të botës, do ta na dërgojë intuita e shkrimtares, që pasion dhe punë ka pikërisht leximin, përkthimin.

Në libër, veç Miladit dhe Erës (Romeos nga Afrika dhe Xhuljetës nga Ballkani) janë edhe 5 apo 6 personazhe të tjerë secili i skalitur mjeshtërisht, si

Viola, shkodranja tipike, Eva, binjakja identike, nëna e mirë e Erës, Nora, Klajdi, gazetari skuth, Valter Bina, e padyshim fisi i Miladit në Kajro, vëllezërit, kunatat në tentativë, etj, etj. Situatat dhe ngjarjet befasuese që ndjekin njëra- tjetrën janë ndërthurur aq bukur sa e bëjnë romanin, monolit duke evituar atë që ndodh shpesh në veprat e gjata të prozës, ujin e tepërt apo detajet që ikin larg linjës kryesore, duke çkokëluar tekstin. Autorja, si njohëse e mirë e letërsisë, sidomos asaj të huaj, ia arrin me një thjeshtësi mjeshtërore, të vendosë në vendin e vet me një kujdes të veçantë gjithcka i duhet për ta ngritur romanin e saj në nivelin sipëror të shijeve të lexuesit të kualifikuar dhe të mençur. Autorja, sa përmes saj aq edhe përmes personazheve, krijon situata të panumërta dhe nga më të paimagjinueshmet që të mbesin në mend. Për një lexues jo shume të stervitur e që nuk e ka vizituar asnjëherë Egjiptin, do të mjaftonte për të marrë dije bazike dhe elegante nga ky roman.

Nga ana tjetër, një lexues egjiptian, nëse libri do të përkthehet një ditë në arabisht, do të mund të shikonte një pikturë realiste të kryeqytetit shqiptar, në librin në fjalë.

Autorja nuk është e shkëputur nga asnjë lloj realiteti shqiptar, madje as nga ai egjiptian, herë-herë. Ajo vetë është një produkt i realitetit ballkanik, realitetit shqiptar. Si e tillë ajo ka ardhur në letërsinë shqipe si një autore që me romanin e saj të parë, do të mbahet mend njëherësh si përfaqësuese tipike e një trendi të ri, për ta lubrifikuar, trazuar dhe modernizuar prozën bashkëkohore. Romani që kjo autore, disi me një shperfillje ironike e ka hedhur në qarkullim, duhet të jetë patjetër edhe një test për libra të tjerë që ajo ose i ka shkruar, ose i ka gati për botim, ose ashtu në ekstazën e krijimit, i ka harruar në një cep studioje apo kujtese!

Detaje të librit
Titulli i librit: Dielli më perëndon në Lindje
Autor: Eralda Baze
Shtëpia e Botimit: Schnell
Viti i botimit: 2021
Gjinia: Sagë & histori

Top Channel