Protestuesit drejt rrugës së Durrësit, disa prej bizneseve qëndrojnë hapur, por nxjerrin ‘truproja’ jashtë ambienteve të tyre
Kryeministri Edi Rama, pas deklaratës së bërë një ditë më parë në lidhje me diskutimet e fundit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, ka reaguar sërish sot duke thënë se “trollat e turbofolkut nacionalist të Prishtinës” kanë shpërthyer në kritika ndaj tij pasi tha se “Serbia e humbi Kosovën”.
Rama shkruan sot se sa herë “që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal”.
Sipas tij, që Serbia e humbi Kosovën është fakt, teksa me ironi shkruan se “sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit”.
“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës
Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal
Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër
Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut
Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit”, shkruan Rama.
Top Channel