Bashkëpunim me të rinjtë austriakë/ Veliaj takon sekretaren e shtetit në Austri për rininë

11/02/2022 19:43

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Sekretaren e Shtetit të Republikës së Austrisë për Rininë dhe Gjeneratat, Claudia Plakolm.

Duke marrë shkas nga viti ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë, por edhe për Bashkimin Europian ky është shpallur po ashtu Viti Europian i Rinisë, Veliaj ka kërkuar më shumë projekte të përbashkëta mes të rinjve të dy vendeve.

“Ajo çka biseduam është si të gjejmë një mënyrë që djemtë dhe vajzat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, me djemtë dhe vajzat e Vjenës, Linzit, Grazit dhe Austrisë, të shfrytëzojnë mundësinë e Vitit Europian të Rinisë për Bashkimin Europian dhe shpalljen e Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ndonjëherë, duhet një arsye për t’u lidhur, ndaj ne kemi motivin e përkryer me këto dy ngjarje,” u shpreh Veliaj.

Ai përmendi disa prej programeve, por dhe fusha të reja bashkëpunimi mes të rinjve të dy vendeve.

“Biseduam edhe si të gjejmë mundësi, përtej ERASMUS dhe Interreg, për disa programe standarde të Bashkimit Europian, që të shtojmë disa aktivitete të tjera nga organizatat rinore, kompani të ndryshme austriake, apo dhe nisma të djemve e vajzave të Austrisë dhe Shqipërisë në fusha si arsimi profesional, çështjet e emergjencave civile, çështjet e mjedisit, sporti, kultura, muzika, arti.

Kryebashkiaku i Tiranës i dhuroi në fund në shenjë simbolike Sekretares së Shtetit Austriak për Rininë edhe Kullën e Sahatit.

Top Channel