Deputetja e PS-së, Sara Mila, ka deklaruar pasi doli nga SPAK-u se sa herë të thirret nga ky organ, do të paraqitet, teksa shtoi se u paraqit si person që ka dijeni.
“Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf të deklaroni, por vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim.
Sa i përket sekretit hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time dhe kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK-u dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë, edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, u shpreh Mila pa iu përgjigjur pyetjes së gazetares Anila Hoxha se si “iu përgjigj SPAK, nëse ka pasur apo jo korrupsion në zgjedhje në Elbasan”.
Siç bëri me dije edhe gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, deputetja e qarkut të Elbasanit është marrë në hetim me dyshimin për korrupsion në zgjedhje.
Top Channel