Përse presidenti rus Putin është i shqetësuar rreth anëtarësimit të Ukrainës në NATO?

06/02/2022 08:10

Rusia thotë se NATO-ja, aleanca e udhëhequr nga Amerika, që po përballet me krizën më të madhe evropiane në dekada, nuk duhet të lejojë kurrë anëtarësimin e Ukrainës, e cila fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik rreth 30 vjet më parë.

Ukraina ka aspiruar prej kohësh anëtarësimin në NATO, por aleanca nuk është gati të ofrojë një ftesë, pjesërisht për shkak të korrupsionit në Kiev, mangësive në ndërtimin e aftësive të saj mbrojtëse dhe mungesës së kontrollit mbi kufijtë e saj ndërkombëtarë.

Kërkesat e zotit Putin shkojnë përtej çështjes së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, por kjo lidhje është në thelb të pakënaqësisë që ai ka shprehur ndaj Perëndimit duke thënë se po i vë në provë durimin duke iu afruar kufijve rusë. Ai thotë se zgjerimi i NATO-s vite më parë ka forcuar sigurinë e saj në kurriz të Rusisë.

Rusët kërkojnë garanci ligjore që Ukrainës t’i mohohet anëtarësimi në NATO, duke e ditur se NATO-ja si çështje parimore nuk e ka përjashtuar asnjëherë anëtarësimin e mundshëm për asnjë vend evropian, madje as për Rusinë, por nuk ka plane për ta nisur procesin e anëtarësimit të Ukrainës në një të ardhme të afërt. Parimi i cituar nga NATO-ja është se të gjitha vendet duhet të jenë të lira të zgjedhin aleancat e tyre.

Pse, atëherë, Moska po e ngre tani shqetësimin e saj mbi marrëdhëniet e Ukrainës me NATO-n? Përgjigja është e ndërlikuar.

PSE PRESIDENTI RUS PUTIN ËSHTË I SHQETËSUAR RRETH ANËTARËSIMIT TË UKRAINËS NË NATO?

Arsyeja e deklaruar është se një zgjerim i mëtejshëm i NATO-s drejt lindjes do të përbënte një kërcënim sigurie për Rusinë. Uashingtoni dhe aleatët e tij mohojnë se ky është një shqetësim i vlefshëm, pasi asnjë vend i NATO-s nuk po kërcënon të përdorë forcën kundër Rusisë.

Më gjerësisht, zoti Putin dëshiron që NATO të tërheqë praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore, e cila përfshin një seri dislokimesh me rotacion të rregullt në vendet ish-sovjetike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë. Nuk ka trupa amerikane me prani të përhershme në këto tre vende baltike. Aktualisht rreth 100 ushtarë amerikanë ndodhen në Lituani dhe rreth 60 në Estoni dhe Letoni së bashku, në kuadër të misionit të NATO-s për dislokimin me rotacion të trupave në rajon, thotë Pentagoni.

Presidenti rus gjithashtu kundërshton praninë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s në Rumani, një ish-vend satelit i sovjetikëve, dhe një bazë të ngjashme që po ndërtohet në Poloni, duke thënë se ato mund të shndërrohen në armë sulmuese të afta për të kërcënuar Rusinë. Presidenti Joe Biden miratoi këtë javë dërgimin e 2700 trupave të tjera amerikane në Evropën Lindore, 1700 në Poloni dhe 1000 në Rumani, si dhe 300 në Gjermani.

Ukraina ka lidhje të forta historike dhe kulturore me Rusinë, dhe zoti Putin ka pohuar vazhdimisht se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”. Ai ka thënë se pjesë të mëdha të territorit ukrainas historikisht kanë qenë pjesë të Rusisë që iu dhanë Ukrainës në mënyrë arbitrare nga udhëheqësit komunistë të Bashkimit Sovjetik.

Veprimet e zotit Putin, megjithatë, kanë forcuar ndjenjën e identitetit kombëtar të ukrainasve. Pasi Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë dhe mbështeti një kryengritje të armatosur në Ukrainën lindore në vitin 2014, dëshira e Ukrainës për t’u lidhur me Perëndimin dhe për t’u anëtarësuar në NATO vetëm sa u rrit.

Presidenti Putin së fundmi përshkroi më konkretisht shqetësimin e tij për Ukrainën. Ai përmendi një skenar, sipas të cilit, Ukraina mund të përdorë forcën ushtarake për të rimarrë gadishullin e Krimesë ose për të rimarrë zonat në Ukrainën lindore që tani kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“Imagjinoni nëse Ukraina bëhet anëtare e NATO-s dhe nis një operacion ushtarak”, tha zoti Putin. “A do të duhej ta luftonim NATO-n atëherë? A ka menduar dikush për këtë?”

Në të vërtetë, disa vende të NATO-s kanë menduar se mund të ekzistojë mundësia e një lufte të zgjeruar me Rusinë brenda Ukrainës. Kjo është një kujtesë se çfarë do të nënkuptonte anëtarësimi i Ukrainës në NATO. Aleanca e konsideron një sulm ndaj njërit vend anëtar, si sulm ndaj gjithë NATO-s. Teorikisht kjo do të thoshte që nëse Ukraina, do të ishte pjesë e NATO-s dhe do të sulmohej nga Rusia, atëherë të gjithë vendet e tjera anëtare të NATO-s do të duhej t’i dilnin në mbrojtje.

CILA ËSHTË PERSPEKTIVA E UKRAINËS PËR ANËTARËSIM NË NATO?

Perspektiva për anëtarësim në të ardhmen e parashikueshme është pothuajse joekzistente.

Megjithëse Ukraina nuk ka ndonjë ofertë anëtarësimi nga NATO, me kalimin e kohës ajo është afruar më shumë me aleancën, duke filluar nga hartimi në vitin 1997 i një Karte NATO-Ukrainë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin.

Kryetarët e qeverive të NATO-s deklaruan publikisht në vitin 2008 se Ukraina dhe ish-republika tjetër sovjetike Gjeorgjia, “do të bëhen anëtare të NATO-s”. Ata nuk thanë se kur dhe si, por deklarata mund të shihet si shpjegim për shqetësimin e Moskës se objektivi final është që Kievi të bëhet pjesë e aleancës.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e tjerë të NATO-s që nënshkruan deklaratën e vitit 2008 për Ukrainën dhe Gjeorgjinë vendosën të mos hapnin me ta Planin e Veprimit për Anëtarësim – një rrugë drejt anëtarësimit përfundimtar.

Gjermania dhe Franca kundërshtuan fuqimisht afrimin e mëtejshëm të Ukrainës me aleancënt dhe pikëpamja më e gjerë brenda NATO-s ishte se Ukraina duhet të bënte reforma të gjera përpara se të bëhej kandidate për anëtarësim.

Kjo kontradiktë duket se nuk është zgjidhur kurrë, që do të thotë se megjithëse dera e NATO-s është e hapur, Ukraina nuk do ta kapërcejë së shpejti atë prag.

PRESIONI I PRESIDENTIT RUS NDAJ UKRAINËS

Moska thotë se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën, megjithatë gjatë muajve të fundit ka grumbulluar një numër të madh forcash luftarake përgjatë kufijve të Ukrainës dhe ka lënë të kuptohet se do të kundërpërgjigjet, por pa përcaktuar se si, nëse kërkesat e saj ndaj Uashingtonit dhe NATO-s nuk përmbushen. Administrata e zotit Biden thotë se Rusia tani ka aftësinë për një gamë të gjerë veprimesh ushtarake, përfshirë një pushtim në shkallë të gjerë për të marrë nën kontroll Kievin.

Presidenti Putin thotë se NATO-ja ka shkuar shumë larg jo vetëm duke i ofruar Ukrainës armatime dhe stërvitje ushtarake, por edhe duke vendosur forca në vende të tjera të Evropës Lindore që sipas tij komprometojnë sigurinë ruse.

Nga ana tjetër rritja gjatë dekadës së fundit e pranisë ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s në Evropën Lindore, erdhi si rezultat i aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe inkursionit të saj në Ukrainën lindore në vitin 2014. Këto veprime të Rusisë e shtynë NATO-n të dyfishonte fokusin e saj tek siguria kolektive. Në shtator 2014, udhëheqësit e NATO-s krijuan një forcë të re të reagimit të shpejtë, të aftë për t’u dislokuar brenda disa ditësh dhe rikonfirmuan angazhimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA