Edhe pse e bëri të qartë se në rastin e shpërthimit të një konflikti Rusi-Ukrainë, Turqia si anëtare e NATOs- do të rreshtohet në krah të aleancës, presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan sërish i akuzoi shtetet perëndimore se janë ato që po e përkeqësojnë krizën.
Erdogan po kështu, kritikoi qëndrimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, duke mbështetur kështu në një farë mënyre pretendimet e Kremlinit se SHBA-ja po e acaron edhe më shumë situatën me veprimet e saj.
“Për fat të keq, Perëndimi deri më tani nuk ka dhënë asnjë kontribut në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mund të them se ata vetëm po i përkeqësojnë gjërat. Bideni nuk ka qenë në gjendje të tregojë një qasje pozitive”, tha Erdogan.
Qeveria turke po përpiqet të mbajë raporte të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën. Një pushtim rus i Ukrainës do ta vendoste Ankaranë para një dileme shumë serioze. Kjo është dhe arsyeja perse presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dëshiron të ndërmjetësojë.
Marrëdhëniet mes Moskës e Ankarasë janë të ndërlikuara: Si anëtare e NATO-s ajo ble sistemet antiajrore ruse S400, duke zemëruar SHBA.
Në çështjet e Libisë, Sirisë, Nagorno-Karabahut dhe Ukrainës, ka dalë kundër Rusisë, por Turqia sërish vazhdon të ruajë me të marrëdhënie të mira ekonomike teksa varet ndjeshëm nga gazi rus.
Top Channel