Merkato e janarit sapo është mbyllur, por skuadrat vijojnë të jenë aktive me planifikimin e merkatos së verës dhe për ndryshimet e sezonit të ardhshëm. Një prej skuadrave është edhe Arsenal, me londinezët që duken të vendosur për të bërë mirë në verë dhe për të ndërtuar një skuadër simpatike dhe solide, e mbi të gjitha me elemente të rinj.
“Topcinjtë” i kanë synimet e qarta dhe drejtuesit e klubit janë gati për t’i plotësuar çdo dëshirë trajnerit Arteta. Spanjolli ka dërguar në zyrat e klubit emrat që ai kërkon dhe klubi londinez po planifikon të shpenzojë plotë 180 milionë paund për tre lojtarë.
I pari në listë është mesfushori portugez i Wolves, Ruben Neves. 24-vjeçari, ishi i Porto-s është në sezonin e tij të pestë me “ujqërit” dhe ka spikatur vazhdimisht me paraqitjet e tij dhe është dëshira kryesore e Mikel Artetës për mesfushën e sezonit të ardhshëm.
Në “radar” ka përfunduar edhe sulmuesi i Everton, Dominic Calvert-Lewin. Anglezi po vuan nga një dëmtim këtë sezon dhe ka zhvilluar vetëm 6 takime në “ishull”, por i kanë mjaftuar të shënojë 3 gola, por “topcinjtë” nuk ndikohen nga ky sezon dhe janë të vendosur të tentojnë shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar.
Përforcimi i tretë pritet përsëri në sulm dhe këtë herë Arteta vështrimin e ka kthyer nga Spanja, bëhet fjalë për Alexander Isak, 22-vjeçari i Real Sociedad, që është një dëshirë e madhe e teknikut, por edhe vetë klubit. Suedezi shkëlqeu sezonin e kaluar në La Liga me 17 gola në 37 takime, ndërsa në këtë edicion ka gjetur rrugën e rrjetës 4 herë në 18 takime, por përsëri mbetet synimi kryesor për sulmin e londinezëve edhe pas largimit të Aubameyang.
Në shtëpinë e Arsenal-it vera pritet të jetë e nxehtë, pasi drejtuesit janë të qartë në objektivat e tyre dhe kërkojnë të jenë një prej skuadrave pretendente sezonin e ardhshëm në Premier League dhe jo vetëm.
Top Channel