José Mourinho ka dalë para mediave në prag të përballjes së Real Madridit me Interin në “Santiago Bernabéu”, në një konferencë ku nuk munguan deklaratat interesante dhe batutat.

Trajneri portugez e konsideron sfidën të rëndësishme, por jo vendimtare, duke lënë edhe një deklaratë që tingëllon si një paralajmërim për të ardhmen. “Nesër luajmë një ndeshje që nuk vendos asgjë, nuk është eliminatore. Unë dhe Interi do të kualifikohemi të dy. E shoh të mundshme që Real Madridi dhe Interi të përballen sërish në të ardhmen, kur gjërat të bëhen serioze.”

Mourinho foli edhe për ambicien e tij të pandryshuar për të fituar, pavarësisht rezultateve të mëparshme. “Gjithmonë dua të fitoj ndeshjen tjetër. Ambicia ime rinovohet nga ndeshja në ndeshje, jo nga sezoni në sezon. Nëse fitova dje, dua të fitoj sërish. Nëse humba dje, nuk dua të humbas përsëri.”

Përballë Interit, portugezi vlerësoi kundërshtarin dhe mënyrën se si klubi italian ka ndërtuar skuadrën vit pas viti. “Interi ka një ekip fantastik që përmirësohet çdo vit. Punojnë me sistemin me pesë mbrojtës, largohet një lojtar dhe vjen një më i mirë.”

Por konferenca mori një kthesë më pikante në fund. Gazetari italian Tancredi Palmeri i dhuroi Mourinhos një spërkatës uji, duke iu referuar skenës së famshme të vitit 2010, kur Interi festoi kualifikimin në finalen e Champions League në “Camp Nou” dhe spërkatësit e ujit u aktivizuan për të larguar lojtarët zikaltër nga fusha.

Mourinho e priti dhuratën me buzëqeshje, duke e marrë me sportivitet një nga episodet më ikonike të historisë së tij me Interin.

Në “Bernabéu”, ndërkohë, ai do të rikthehet në një stadium ku, siç vetë pranoi, ka përjetuar “më të mirën dhe më të keqen” e karrierës së tij. “Aty kam fituar një Champions League dhe kam humbur një gjysmëfinale me penallti. Kam përjetuar më të mirën dhe më të keqen në atë stadium, por tani nuk mendoj për to. Jam fokusuar te fakti që jam trajneri i Real Madridit.”

Top Channel