Një magazinë e nëndheshme që ishte përshtatur për kultivimin e kanabisit përmes llambave, u identifikua gjatë natës në Sarandë.
Në magazinën që ndodhet në vendin e quajtur “Volloder” pranë fshatit Nivicë në Sarandë u gjetën 50 llamba elektrike, 100 bimë kanabis në kubikë dhe një sasi e gatshme cannabis sativa.
Policia njofton se ka arrestuar për “Shpërdorim detyre”, 57-vjeçarin me iniciale V. S., me detyrë elektriçist pranë OSHEE-së dhe 61-vjeçarin me iniciale G. H., me detyrë faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Në kërkim u shpall pronari i magazinës, shtetasi me iniciale K.O. dhe shtetasi me iniciale K.M., që e kishte marrë me qira ambientin. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Top Channel