E konfirmon Tare, Lazio përgatitet ta huazojë Muriqin në La Liga

26/01/2022 20:49

Vedat Muriqi ka qenë një nga emrat më të lakuar në merkato sa i takon organikës së Lazios.

Sulmuesi i Kosovës nuk ka përmbushur pritshmëritë dhe ka realizuar vetëm dy gola në dy sezone me bardhekaltërit. Ndaj, zgjedhja më e mirë për të dyja palët duket një ndryshim ambienti për Muriqin, i cili pavarësisht formës ka pasur interesimin e klubeve nga Premier League, por edhe La Liga.

Madje, duket se pikërisht Spanja do të jetë destinacioni i radhës për “Piratin”, teksa vetë drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare ka theksuar se në klub po punojnë për të gjetur marrëveshjen me Mallorcën.

Pritet që formula e transferimit të jetë ajo me huazim, ndërsa mbeten për t’u përcaktuar detajet në lidhje me pagën. Sakaq, Mallorca e sheh Muriqin si një futbollist të rëndësishëm në luftën për të qëndruar mes më të mirave të La Liga, teksa aktualisht renditen në vendin e 17 me 20 pikë dhe në katër ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm disfata.

Top Channel