Nga Zvicra në klubin ku mori famë, Eriksen stërvitje intensive në pritje të klubit të ri

25/01/2022 16:29

Christian Eriksen prej kohësh e ka marrë vendimin e tij dhe nuk do të heqë dorë nga futbolli edhe pse trembi të gjithë botën në momentin kur gjatë ndeshjes së Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës, pësoi në fushë një atak kardiak.

Në këtë formë, mesfushori po përgatit rikthimin në fushë teksa pritet që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime dhe Eriksen të firmosë në Premier League ku ka pasur bisedime të avancuara me klubin e Brentford.

Por, për të qenë tërësisht i gatshëm, prej disa kohësh Eriksen ka nisur stërvitjen individuale teksa një pjesë të saj e kaluar me Chiasso në Zvicër, ndërsa së fundmi po stërvitet me ekipin rezervë të Ajax.

Kujtojmë se ishte pikërisht klubi holandez që e bëri të famshëm lojtarin, i cili pas eksperiencës me “Harkëtarët” u transferua te Tottenham. Tashmë, 29-vjeçari shpreson që Ajax t’i sjellë sërish fat në karrierë për të rinisur edhe njëherë tjetër aventurën në skenat e mëdha të futbollit ndërsa Eriksen kërkon të jetë prezent në Kupën e Botës në muajin nëntor.

Top Channel