Rusia dërgon trupa të tjera në kufi, Blinken: Mund të sulmojnë papritur!

21/01/2022 15:15

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë Ukrainën papritur, por tha se e presin reagime të ashpra nëse e bën një gjë të tillë.

Shefi i diplomacisë amerikane i bëri këto komente njw ditw pas vizitws nw kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku prej muajsh ziejnë tensionet dhe ankthi nga një pushtim i mundshëm u vendit më të madh fqinj. Duke i mëshuar fort marrëdhënieve të ngushta SHBA-Ukrainë, Blinken u zotua se nuk do të heqin dorë sakaq nga përpjekjet e fuqishme diplomatike për të ndaluar agresionin rus.

Blinken: Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni ndaj Ukrainës, ato do të marrin një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë. Rusia po rrezikon themelet e rendit botëror me grumbullimin e rreth 100 mijë forcave ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Ajo do të përballet me një përgjigje të koordinuar dhe të ashpër globale në rast se pushton Ukrainën.

Blinken tha se veprimet e Rusisë kundër Ukrainës janë një përpjekje për të përmbysur normat ndërkombëtare dhe janë vetëm shkelja më e fundit ndër disa të tilla që Moska ka ndërmarrë në kundërshtim me traktate, marrëveshje dhe angazhime të tjera të panumërta ndërkombëtare, në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të tjera.

“Nëse i lejojmë Rusisë t’i shkelë këto parime pa u ndëshkuar, kjo do të na tërhiqte të gjithëve pas në kohëra shumë më të rrezikshme dhe të pasigurta, kur ky kontinent, dhe ky qytet, ishin të ndarë më dysh, të ndarë me tokë asnjëanëse në mes ku patrullonin ushtarë, me kërcënimin e një lufte frontale që luhatej mbi jetën e të gjithëve”, tha ai. “Do t’i dërgonte gjithashtu mesazhin të tjerëve në mbarë botën se këto parime nuk janë të paprekshme”. Sipas disa raporteve, Moska po dërgon edhe trupa të tjera në kufirin me Ukrainën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA