Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar në 16-vjetorin e vdekjes Ibrahim Rugovën, ish-presidentin e Kosovës.

Ai e konsideron udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve.

Sipas Ramës, çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës së shqiptarëve.

“Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit, kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare”, shkruan Rama.

Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, pas përballjes me kancerin në mushkëri. Ai ishte  presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe  sërish në vitet 2002–2006.

Rugova ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar, ndërsa u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, duke nisur një fushatë paqësore kundër Serbisë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që pasoi  një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës.

Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë,  mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e  Perandorisë Romake  që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Top Channel