Kumbulla: Jam i lumtur për golin, tani po korr frytet e punës

21/01/2022 09:11

Marash Kumbulla gjeti golin e parë sezonal me Romën.

Ekipi i Jose Mourinhos fitoi 3-1 ndaj Lecces mbrëmjen e kaluar, rezultat që i siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, aty ku
do të ketë përballë Interin e Simone Inzaghit.

Ekipi mik kaloi në avantazh pas çerek ore lojë, por një gol me kokë i mbrojtësit nga Malësia e Madhe në fundin e pjesës së parë solli barazimin e rezultatit. 21-vjeçari foli pas ndeshjes për Sportmediaset, duke deklaruar se është i lumtur për golin e realizuar.

“E nisëm ndeshjen jo mirë, më pas u përpoqëm të rrisim ritmin. Jam i kënaqur me golin. Në pjesën e dytë luajtëm me një tjetër ritëm dhe ia
dolëm të fitojmë ndeshjen”.

“Sigurisht që duhet ta nisim ndeshjen ndaj tyre në një mënyrë tjetër, me një qëndrim më aktiv në fushë. Le të mendojmë për ndeshjen e së dielës kundër Empolit, ka kohë për takimin e Kupës”, theksoi mbrojtësi i kombëtares kuqezi.

Top Channel