Zyrtare/ Gjermani i dytë në Serie A, Genoa i beson stolin ish-trajnerit të Gurit

20/01/2022 10:10

Diçka më shumë se dy muaj zgjati aventura e Andriy Shevchenkos si trajner i Genoas.

Klubi italian shkarkoi nga detyra ish-fituesin e “Topit të Artë” për mungesë rezultatesh pozitive, teksa e ka zëvendësuar atë me Alexander Blessin.

Trajneri gjerman ka drejtuar ekipet e moshave të Leipzig dhe Oostende në Belgjikë, ekip ku ka punuar edhe me Sidrit Gurin. Tani do të masë forcat në Serie A, me objektivin për të mbajtur në elitë skuadrën më të vjetër të futbollit italian.

“Nuk mund ta refuzoja ofertën e Genoas, një klub me traditë në Serie A. M’u afrua një projekt afatgjatë, ky është një hap i madh në karrierën time, por dua të theksoj se do të jem gjithmonë mirënjohës ndaj Oostende për mundësinë që më dha”, deklaroi Blessin.

48-vjeçari është gjermani i dytë në histori që do të punojë si trajner në kampionatin italian pas Rudi Voller, i cili drejtoi Romën gjatë vitit 2004. Blessin do të debutojë me skuadrën e re në takimin Genoa-Udinese.

Klubi xhenovez tentoi marrëveshjen me Bruno Labbadia, por nuk e gjeti gjuhën e përbashkët me trajnerin e njohur gjerman, i cili qëndron pushim prej janarit të vitit të kaluar kur i ndërpreu bashkëpunimin me Hertha Berlin.

Top Channel