Prova të reja tregojnë akumulim masiv pajisjesh e trupash ushtarake ruse në disatancë të afërt me Ukrainën, disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden vijoi retorikën e luftës duke thënë se “Putin do të pushtojë”.
Sipas raportimeve perendimore, trupave ushtarake rus u është thënë se do të qëndrojnë për “nëntë muaj” larg familjeve pas zhvendosjes strategjike mijëra kilometra nga lindja e vendit në perëndim.
Imazhet satelitore të 19 janarit tregonin “grupet e betejës” të dislokuara në bazën e Voronezh, 300km larg Ukrainës, me rreshta tankesh e topash artilerie, gjithashtu të akumuluara në bazën e Yelnya, 125km nga kufiri rus me Ukrainën.
Të tjera imazhe tregonin pajisjet në dy bazat Klintsky e Klimovo, vetëm 30km larg kufirit me Bjellorusinë dhe rreth 50km nga kufiri rus me Ukrainën.
Rreth 100,000 trupa besohet se janë mobilizuar së bashku me trena tankesh dhe mjetesh raketore, pas përshkallëzimit të ditëve të fundit të retorikës dhe tensioneve mes Moskës dhe Perëndimit.
Videot tregojnë mjete raketalëshuese, autoblinda dhe kamionë komunikimesh që transportoheshin në bazat bjelloruse Gomel e Rechitsa, të dyja rreth 60km nga kufiri me Ukrainën.
Presidenti Biden tha dje se lideri rus “do të bëjë diçka” por nuk beson se Putin do të kërkojë luftë të hapur pasi sipas Biden, nëse e bën “do ta paguajë shtrenjt”.
“Ai do të bëjë diçka … po përpiqet të gjejë vendin e tij mes Kinës dhe Perëndimit”, tha Biden disa orë pas njoftimit për $200 milionë të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Zëdhënsi i Kremlinit Dmitry Peskov denoncoi dje komentet e Biden duke fajësuar SHBA për destabilizimin e situatës, por nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve të reja të sigurisë mes Putin e Biden.
Një karvan raketalëshuesesh ruse BM-27, 220mm dhe mjetet e tyre ngarkuese mbërritën të hënën në bazën e Gomel nga Siberia lindore.
Top Channel