Gjoba për Tiranën dhe Vllazninë, e pëson edhe Skënderbeu

20/01/2022 12:07

Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimet për ngjarjet e ndodhura në javën e 16-të në Abissnet Superiore. Problemet mes tifozëve nuk munguan në klasiken Tirana-Vllaznia.

Dy klubet janë gjobitur me nga 100 mijë lekë për sjelljen e gabuar të tifozerive respektive, teksa bardheblutë dhe shkodranët janë urdhëruar të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në “Air Albania”.

Gjobë edhe për Skënderbeun, për shkak të zemërimit të tifozëve në pjesën e dytë të sfidës shtëpiake ndaj Laçit.

VENDIMET E KOMISIONIT TË DISIPLINËS

1. KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të neneve 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë.

2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

3. KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Vllaznia, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

4. KF Butrinti U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë U-19, kundër Akademia e Futbollit U-19, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 30.2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.

5. Pranimin e kërkesës së lojtarit të SHS Albpetrol, Redjan Hatia, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

6. Pranimin e kërkesës së AF.Elbasani U-17, në lidhje me lojtarin Kristo Doci, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

Top Channel