Akuza për zgjedhjet e FSHF/ Flet Eduard Prodani, kandidat për shoqatën rajonale të Tiranës

19/01/2022 15:29

FSHF-ja brenda 6 muajve të parë të vitit pritet të mbledhë asamblenë e përgjithshme ku do të votohet edhe për kryetarin e ri të Federatës sipas statutit.

Paraprakisht kanë nisur zgjedhjet në Shoqatat Rajonale të Futbollit, por Eduard Prodani, kandidat për Shoqatën Rajonale të Futbolit në Tiranë shpjegon se fushata zgjedhore në këto Shoqata, të cilat kanë të drejtë të dërgojnë delegatë në Asamble për të votuar për kryetarin e FSHF, po bëhet mes padrejtësive dhe mungesës së transparencës:

“Nuk kemi listën e delegatëve, nuk ka një komision që të na dërgojë ku do të mbahen votimet, gjithçka është e mbyllur dhe në terr. Është njësoj sikur opozita në fushatë politike të mos dijë kush është lista e votuesve. Kjo është një farsë dhe nuk duhet të lejohet.”

Sipas Prodanit, në zgjedhjet e disa Shoqatave Rajonale kandidatët nuk janë lejuar as të regjistrohen:

“Në Durrës ka ndodhur që janë hequr fare kandidatët alternativë. Kjo tregon edhe njëherë se Shoqatat Rajonale janë disa organizma formalë që ekzistojnë vetëm në letër. Ato bëjnë mbledhje formale vetëm kur ka interesa elektoralë dhe dërgojnë delegatë në asamble për të votuar”.

Prodani shprehet se në kushtet kur zgjedhjet po dhunohen duhet ndërhyrja e institucioneve shtetërore.

“Këto gjëra ndodhin sepse ne nuk kemi asnjë organ të pavarur ku të apelojmë nëse na bëhet një padrejtësi. Në këto kushtet shteti duhet të ndërhyjë që të ngrihet arbitrazhi sportiv, i cili mbahet në letër prej 20 vitesh.”

Top Channel