Foto ilustruese

Këtë javë Shoqata Rajonale e Durrësit hapi siparin e zgjedhjeve në shoqatat rajonale, të cilat i paraprijnë  zgjedhjeve të FSHF-së.

Në Durrës procesi ka ngjallur menjëherë reagime, madje dhe një kallëzim penal nga Altion Keçi, kreu i klubit shumësportësh të Shijakut ”Erzeni”.

Zgjedhjet po përballen kështu me akuza për votim të paligjshëm, mungesë transparence dhe manipulim të procesit.

Për Top Channel Altion Keçi shprehet se është i bindur në akuzat e tij dhe se do të presë organin e akuzës të hetojë dhe zbardhë më tej shkeljet e bëra. Të martën ai i është drejtuar  prokurorisë së Durrësit për shkeljet e kryera nga një anëtar i shoqatës, në kundërshtim me rregullat e brendshme të klubit.

Drejtori i klubit shumësportësh Altion Keçi dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj shtetasit Fundim Dollaku, si personi që ka përfaqësuar  klubin në zgjedhjet e shoqatës.

Dollaku gjatë zgjedhjeve të bëra në mbledhjen e Shoqatës Rajonale të Durrësit ka qenë  përfaqësues i klubit ”Erzeni” dhe është zgjedhur edhe si delegat me të drejtë vote për zgjedhjet në FSHF ku kreu aktual A. Duka synon mandatin e gjashtë.

Keçi me cilësinë e drejtorit të klubit ”Erzeni” denoncon Dollakun i cili, siç thuhet në kallëzim ”në kushtet e paligjshmërisë absolute ka përfaqësuar klubin e futbollit Erzeni në shoqatën rajonale Durrës pa asnjë tagër ligjor dhe i paautorizuar nga ai si drejtues, asambleja e klubit apo nga kryetari i bashkisë Shijak Elton Arbana”.

Veprimet e Dollakut konsiderohen të paligjshme dhe në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria ka protokolluar kallëzimin dhe pritet të thërrasë denoncuesin dhe të denoncuarin për të sqaruar më tej këtë situatë që ka trazuar ujërat në prag të zgjedhjeve në Federatën e futbollit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA