Inzaghi “fërkon duart”, një supersfidë e janarit drejt shtyrjes

01/01/2022 14:25

Skuadrat e Serisë A janë rikthyer në stërvitje, në pritje të rinisjes së kampionatit, teksa shumë klube kanë raportuar për futbollistë të prekur nga koronavirusi, përfshi edhe emra si shqiptarët Rey Manaj e Marco Molla.

Një situatë e tillë nuk ka vënë në dyshim zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Superkupën e Italisë mes Interit dhe Juventusit, e caktuar për më 12 janar në “San Siro”.

Mediat në Itali shprehen të bindura që kjo përballje nuk do të zhvillohet më 12 janar, pasi të dy klubet kanë depozituar kërkesë për shtyrjen e ndeshjes me të paktën dy muaj dhe luajtjen e saj në pranverë, kur të jetë ulur numri i infektimeve.

Me situatën aktuale nuk lejohen më shumë tifozë sesa gjysma e kapacitetit të stadiumit dhe kjo do të shkaktonte pakënaqësi te sponsorët, por do të ulte edhe të ardhurat për klubet.

Vendimi për shtyrjen e ndeshjes pritet të merret në orët e ardhshme dhe gjasat janë që të luhet në muajin maj, por shumë do të varet edhe nga ecuria e dy klubeve në Ligën e Kampionëve.

Një lajm i tillë kënaq padyshim trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, pasi zikaltrit i pret një kalendar i ngjeshur, me shumë përballje direkte, ndaj një ndeshje më pak, do të thotë shumë për menaxhimin e energjive./Super Sport/

Top Channel