Trajnerët e Premier League këmbëngulin për numrin e zëvendësimeve, Tuchel: Situata ende kritike

27/12/2021 17:44

Premier League nuk dorëzohet përballë valës së re të infektimeve që po gjunjëzon gjithë Mbretërinë e Bashkuar edhe pse programi i kampionatit të futbollit vazhdon të pësojë ndryshime, me të tjera ndeshje që shtyhen.

Pasi ishin shtyrë tre takime të tradicionales Boxing Day, (Liverpool-Leeds, Wolverhampton – Watford dhe Burnley – Everton), edhe dy ndeshje të tjera të turit ndërjavor janë shtyrë për një datë që mbetet ende për t’u përcaktuar.

Bëhet fjalë për takimet që përfshinin Wolverhampton dhe Leeds, dy prej skuadrave më të goditura nga virusi. Wolves duhej të zbriste në fushë në Emirates për të sfiduar Arsenalin, ndërsa Leeds duhej të priste Aston Villa-n.

Ndërkohë trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, bëri një apel duke i kërkuar Premier League që t’u rikthejë klubeve mundësinë për të bërë 5 zëvendësime, siç kishte ndodhur në sezonin e kaluar kur nisi emergjenca e Covid.

“Masa u ideua për të mbrojtur lojtarët kur filloi pandemia, dhe unë mendoj se situata mbetet ende kritike. Është një sfidë e madhe për trajnerët, dhe për të vazhduar që të luajmë, duhet të kemi të paktën 5 zëvendësime për të menaxhuar mbingarkesën e lojtarëve”.

Rregulli i pesë zëvendësimeve u adoptua nga Premier League sezonin e kaluar, por këtë vit nuk u konfirmua, ashtu siç ndodhi në kampionate të ndryshme kombëtare si dhe në kompeticionet e Uefa-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA