Tirana e kënaqur me Orges Shehin/ Me 10 fitore, 3 barazime dhe vetëm 2 humbje

27/12/2021 15:28

Me 10 fitore 3 barazime dhe vetëm dy humbje, Tirana e mbylli këtë vit 2021 në krye të Abissnet Superiores duke merituar vendin falë edhe lojës së bërë në këto 15 javë kampionat.

Në një intervistë për Top Channel Orges Shehi, trajneri i bardhebluve analizon këtë sezon të ri të ekipit të tij, duke e filluar me vlerësimin e deritanishëm.

Orges Shehi,  trajner i Tiranës: Skuadra meriton një notë të mirë, sepse ka dhënë gjithçka në fushë. Perfeksion nuk ka por vetes dhe ekipit do t’i vendosja notën 8 deri në 9.

Cila ka qenë fitorja më e rëndësishme nga këto të 10-ta?

Orges Shehi,  trajner i Tiranës: Unë mendoj se të gjitha fitoret kanë qenë të rëndësishme. Fitore e bukur ka qenë ajo e Vllaznisë në Shkodër. Ishte një ndeshje që e kisha merak pasi vinte pas fitores në derbi me Partizanin. Kur fituam atë pastaj tregoi që skuadra ka mentalitet. Ndërsa më emocionuesja ka qenë ndeshja e fundit derbi.

A është kjo skuadra juaj?

Orges Shehi / trajner i Tiranës: Limiti jonë nuk është ky. Ne kemi element cilësor, kemi fanelën që është fanelë e rëndë, kemi tifozerinë më të mirë në vend që na ndihmon shumë. Të gjitha këto na motivojnë për të kërkuar gjithmonë më tepër.

Si ka rezultuar merkato e Tiranës?

Orges Shehi / trajner i Tiranës: Kemi godit në shenjë, sepse të gjithë lojtarët që kemi marrë apo kemi afruar nga të rinjtë, janë lojtarë që po japin kontribut të madh. Ka qenë një specifikë që e kam kërkuar shumë është që lojtarët veç cilësive të mos kenë luajtur në klubet e tyre për shkak të burokracive ose mosmarrëveshjeve në klubet e tyre.Kemi rastin e Xhixhës, Totres apo Limajt. Këta lojtarë kanë patur vështirësi me dokumentet apo mos përputhje me klubet dhe mendoja që këto lojtarë duke patur këto vështirësi kur vijnë këtu kanë një marsh më tepër për të treguar.

Largimi i Celhakës u la një boshllëk që nuk e rikuperuat dot për shkak afatesh, ndërkohë që edhe Ismajil Geci është drejt largimit ndërsa Ngo me gjasë do të mungojë gjatë. A do të ndërhyni në merkato tani në janar?

Orges Shehi / trajner i Tiranës: Të jemi koshient dhe jemi të ndërgjegjshëm që janari nuk të jep shumë mundësi, jam një person që nuk më pëlqen të marrë lojtarë me video apo me Youtube.

Në fund Shehi na tregon edhe një sekret të vogël në lidhje me komunikimin e tij me lojtarët dhe synimet e përbashkëta.

Orges Shehi / trajner I Tiranës: Në fillim të kampionatit i pata bërë një pyetësor lojtarëve për ëndrrat që kishin kur ishin fëmijë, ku janë sot dhe ku duan të jenë, pra ëndrrat për të ardhmen. Të gjithë kishin si objektiv që të marrin kampionatin me Tiranën dhe po të gjithë kishin si objektiv që të luanin jashtë.Këto janë objektiva të mundshme, që e mbajnë lojtarin në punë dhe kjo është diçka e mirë për trajnerin.

Top Channel