Largohet Ilir Daja! Pas humbjes në derbi drejtuesit e klubit të Partizanit dhe trajneri, ndanë rrugët

27/12/2021 12:26

Ilir Daja nuk është më trajner i Partizanit. Trajneri kryeqytetas pati paralajmëruar largimin menjëherë pas ndeshjes derbi me Tiranën, ku tha se do të bisedojë me drejtuesit për të vendosur për të ardhmen.

Takimi mes palëve është zhvilluar dhe në fund është rënë dakord që trajneri Daja të largohet nga Partizani dhe se drejtuesit e klubit po kërkojnë për trajnerin e ti.

Ilir Daja mori drejtimin e Partizanit verën e 2020-ës dhe sezonin e kaluar luftoi deri në fund për titullin kampion, ndonëse më pas e mbylli në vendin e tretë, ndërsa këtë sezon pritshmëritë ishin më të mëdha, por skuadra nuk arriti të shfaqë potencialin në fushë dhe humbja në derbin e fundit mes a duket ishte dhe pika kulminante që vendosi ndarjen e rrugëve mes klubit dhe trajnerit.

Në 15 javët e luajtura për këtë sezon, Partizani ka fituar vetëm 4 ndeshje dhe ka arritur të grumbullojë 18 pikë, 15 më pak se Tirana kryesuese, duke komplikuar rrugëtimin drejt titullit kampion, me ‘të kuqtë’ që tani do të duhet të mendojnë më së shumti për një vend në Europë.

Aktualisht stërvitja po zhvillohet nga Dritan Mehmeti, trajner i ekipeve zinxhirë të klubit të kuq, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të punohet për trajnerin e  ardhshëm që do të mbyll këtë sezon.

Top Channel