Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen e korrupsionit me një tender të vitit 2018 në burgun e Lushnjes.
Të përfshirë në këtë çështje janë drejtori i burgut, Judmir Shurdhi, punonjësit e burgut Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, të cilët abuzuan me tenderin në vitin 2018.
Ndërsa Xhesika Kaja do të gjykohet për veprën penale “Moskallzimi i krimit” .
Judmir Shurdhi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës’ dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 258 e 25 të Kodit Penal;
Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi, punonjës të IEVP Lushnje dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal;
Mariglen Myftari akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
Xhesika Kaja, akuzohet për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Judmir Shurdhi
Nga hetimi i SPAK, ka rezultuar se në tenderin “Shërbim i transportit të punonjësve të rolit bazë”, me vlerë 3 163 333 lekë, të zhvilluar në vitin 2018, si dhe me objekt: “Shërbimi i transportit të punonjësve me uniformë” me vlerë 3 395 800 lekë pa tvsh, të zhvilluar në vitin 2019, janë evidentuar shkelje ligjore nga personat e mësipërm.
Judmir Shurdh ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion ndaj vartësve të tij në vitin 2019 për kualifikimin e operatorit V.K..
Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, njëkohësisht edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer një sërë shkeljesh në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e prokurimit publik, duke shkelur barazinë dhe lirinë e pjesëmarrësve në tendera me qëllim kualifikimin e operatorit ekonomik V.K., në bashkëpunim në vitin 2019 edhe me Miranda Idrizin, anëtare e vetme e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Kurse Mariglen Myftari, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në vitin 2019 ka kërkuar nga operatori ekonomik pjesëmarrës i vetëm në të dy procedurat e mësipërme të prokurimit, një shumë parash me qëllim shpalljen e tij fitues dhe në mungesë të dhënies së këtij përfitimi, ka proceduar me skualifikimin e tij.
Kjo nuk është shkelja e parë e drejtorit të burgut të Lushnjes, pasi ai në vitin 2019 është denoncuara për piraterinë televizive të Digitalb dhe Tring, ndërsa ishte pronar i një televizioni kabllor pa licencë.
Gjithashtu Judmir Shurdhi, drejtor i burgut të Lushnjes është arrestuar bashkë me Llazar Minon, kartelisitn e burgut, pas liruan përpara kohe nga qelia të dënuarin Lulzim Caka, i njohur si ‘i forti i Beratit’, pjesë e një bande kriminale. Banda kriminale e Lulzim Cakës veproi nga viti 1995 deri në 2000 në zonat e Beratit, Lushnjes dhe Fierit dhe akuzohet për disa vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale, dhe për këto ishte dënuar me 25 vite heqje lirie.
Top Channel