Philip Sharp vdiq në moshën 60 vjeçare në vitin 2019 në rrethana misterioze pasi ishte shfaqur shumë herë në televizionin britanik ku mbronte dhe promovonte stilin e tij poligamist të jetesës.
Rabini i njohur me origjinë hebreje kishte shtatë gra dhe 19 fëmijë, të cilët ai besonte se ishin pjesë e “planit hyjnor të Zotit”.
Philip Sharp thoshte se Zoti i kishte folur duke i rekomanduar drejtpërsëdrejti poligaminë.
Para vdekjes së tij burri ishte bërë i famshëm prej paraqitjeve në disa dokumentare televizive për stilin e tij të pazakontë të jetesës si një lider fetar ‘poli-amoroz’.
Ai kishte lindur në Londër dhe vdiq më 28 tetor 2019, në Nairobi, Kenia, ku prej dy vitesh punonte për një mision fetar bamirësie.
Prej stilit të tij të jetesës në vitin 1993 atij iu anullua urdhri i rabinit, megjithse vazhdonte aktivitetin e tij si lider fetar.
“Philip dhe Shtatë gratë e Tij”, ishte një dokumentar i rrjetit BBC i publikuar në 2006, ku detajohej dinamika e familjes së tij të madhe.
Deri në vitin 2013, Sharp ishte i martuar me një grua – Hadas – por jetonte gjithashtu me të paktën gjashtë gra të tjera prej një dekade, duke lindur fëmijë me to.
Rrjeti tjetër televiziv britanik Channel 5 publikoi më vonë një tjetër dokumentar “Vajza me shtatë nëna” ku përshkruhej marrëdhënia e Sharp me bijën e tij 10-vjeçare Ellie dhe mënyrën e pazakontë të rritjes së saj në familje.
Rabini poligamist u shfaq dhe në programin ‘60 Minutes Australia in 2013’, ku tregonte të tjera detaje për mënyrën sesi i kishte folur Zoti, dhe ku krahasonte jetën e tij me atë të mbretërve të lashtë.
Ai tregonte: “Kam dëgjuar Zotin disa herë të më flasë, unë jam një njeri shpirtëror”.
“Nuk ishte shumë impresionuese ajo që më tha, por mënyra sesi Zoti ma tha, ai më foli sikur unë të isha një mbret, kjo është mënyra e vetme sesi mund ta përshkruaj”.
“Kështu që më dukej diçka e detyrueshme për mua.”
Sharpe diskutoi gjithashtu efektin e stilit të tij të jetesës te femijët, duke thënë se shumica e ligjeve perëndimore bazohen te Bibla, e cila edhe ajo është shkruar nga poligamistë.
“Prandaj nuk mund të jetë diçka kaq e keqe,” tha ai.
Në vitin 2018 ai tregonte se i kishin mbetur vetëm pesë gra pasi dy prej tyre dhe disa fëmije ishin larguar nga familja.
Vdekja e tij në 2019 vijon të habisë dhe hetimet ende nuk kanë zbuluar çfarë ndodhi.
Në gjykatë u tha se Sharp ishte gjetur nga një i afërm pa ndjenja në banjë.
Gjykata e Hertfordshire në Britani tha se Sharp kishte shkuar në tualet në Kenia por pas disa kohe nuk ishte kthyer dhe një i afërm shkoi të kontrollonte.
Shkaku zyrtar i vdekjes u shkrua si dështim i organeve të frymëmarrjes prej helmimit të dyshuar të organo-fosfatit, por mjeku ligjor tha se provat nga Kenia ishin të kufizuara.
Top Channel