Qëndrimi i Patundur i Regjimit Iranian Lidhur me Çështjen Bërthamore dhe Trazirat Sociale të Iranit

05/12/2021 22:49

Gjatë viteve të fundit, përkeqësimi i krizës ekonomike në Iran ka nxitur trazira të mëdha publike, duke përfshirë dy kryengritje mbarëkombëtare gjatë të cilave pati thirrje të qarta për ndryshim regjimi.

Me rifillimin e negociatave bërthamore në Vienë këtë javë, këto trazira vazhduan në një numër rajonesh, duke theksuar faktin se populli iranian e konsideron qeverinë aktuale përgjegjëse për problemet e tij dhe ka shumë pak pritshmëri që përpjekjet e Teheranit për të hequr sanksionet ekonomike do të rezultojnë vërtet në kushte më të mira socio-ekonomike.

Në dhjetor 2017, një protestë u organizua në qytetin Mashhad për të shprehur ankesat lidhur me inflacionin, papunësinë dhe korrupsionin qeveritar. Kjo ishte shkëndija e kryengritjes së parë, e cila u përhap në mbi 100 qytete të mëdha e të vogla gjatë muajit të mëpasshëm. Në atë kohë, Udhëheqësi Suprem i regjimit Ali Khamenei fajësoi grupin kryesor opozitar pro-demokratik të vendit, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), se kishte ndihmuar në popullarizimin e sloganeve si “vdekje diktatorit” teksa organizonte në mënyrë aktive demonstrata të shumta në të njëjtën kohë.

Në nëntor 2019, MEK u konsiderua përsëri përgjegjëse për kryengritjen e ringjallur, e cila përfshiu gati 200 lokalitete pothuajse menjëherë. Vazhdimësia e atyre kryengritjeve, guximi i mesazheve të tyre dhe roli i MEK-ut, të gjitha kontribuan në vendimin e regjimit për ta shtypur shumë më ashpër këtë valë të dytë protestash. Forcat e sigurisë dhe forcat paramilitare konservatore të regjimit, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, hapën zjarr pothuajse menjëherë mbi turmat e njerëzve, duke vrarë rreth 1,500 njerëz në vetëm pak ditë.

Kjo u njoh gjerësisht si shtypja më e përgjakshme ndaj disidencës në shumë vite, dhe u përkeqësua nga fakti se mijëra aktivistë të tjerë u arrestuan gjatë kryengritjes dhe menjëherë pas saj. Shumë prej të arrestuarve iu nënshtruan torturave për muaj të tërë në burgjet famëkeqe të Iranit. Ashpërsia e përgjigjes së Teheranit tregon se sa e madhe është frika e tij nga disidenca e organizuar dhe veçanërisht nga MEK. Kjo frikë i ka shtyrë më parë zyrtarët iranianë të masakrojnë 30,000 të burgosur politikë në verën e vitit 1988.

Fakti që autoritetet e regjimit janë të gatshme ta çojnë edhe një herë në mijëra numrin e të vdekurve nga shtypja e protestave, tregon qartë se regjimi sot e konsideron veten veçanërisht të dobët përballë një opozite të organizuar. Duke marrë parasysh se kjo opozitë duket se është nxitur nga kriza ekonomike, do të ishte e logjikshme që udhëheqësit e regjimit ta kishin prioritet zgjidhjen e kësaj krize.

Por ngërçi i vazhdueshëm global lidhur me programin bërthamor të Iranit tregon se nuk është kështu. Duke refuzuar me vendosmëri të heqë dorë nga ky program apo qoftë edhe ta ndalojë përshpejtimin e tij që ka qenë i vazhdueshëm që nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës, e cila ndaloi praktikisht së funksionuari tre vjet më parë, Teherani ka demonstruar vendosmëri për t’i shpërdoruar burimet e Iranit për projektim force dhe për krijim armiqësish me të huajt, ndërkohë që mund t’i përdorë këto burime për të adresuar të gjitha problemet që janë bërë forcë shtytëse për protestat popullore në javët dhe muajt e fundit.

Javën e kaluar, fermerët e Isfahanit u mblodhën në shtratin e thatë të lumit ZayandehRud për të kërkuar hapjen e një dige të lumit. Në vend që ta pranonin këtë kërkesë të arsyeshme ose të paktën t’i përgjigjeshin publikisht asaj, autoritetet e regjimit i sulmuan dhunshëm dhe i shpërndanë protestuesit, të cilët gjithsesi u kthyen të nesërmen dhe morën mbështetje si në rrugë ashtu edhe në mediat sociale nga një popullsi shumë më e gjerë aktiviste.

Përplasjet e fundit po ndjekin pothuajse të njëjtin model si kryengritjet e 2018-2019-ës, pa përmendur edhe rastet e shumta të trazirave në shkallë më të vogël. Kjo tregon se regjimi po mbështetet shumë te represioni i dhunshëm për ta heshtur publikun dhe se nuk ka ndër mend t’i trajtojë ankesat e tij në mënyrë thelbësore. Në të njëjtën kohë, kjo tregon se represioni i dhunshëm nuk po rezulton aq efektiv sa e parashikonte Teherani – fakt i cili, pa dyshim, ka bërë që mullahët të jenë të paduruar për të gjetur mënyra të tjera për të treguar forcën e tyre.

Negociatat bërthamore i ofrojnë regjimit një mënyrë të përsosur për t’i realizuar këto ambicie, duke e përqendruar vëmendjen ndërkombëtare tek sigurimi i mundshëm nga Teherani i armës bërthamore, ndërkohë që i lejojnë gjithashtu autoritetet iraniane të mburren se i qëndrojnë ballë për ballë kundërshtarëve të tyre perëndimorë, ndërsa kërkojnë lëshime që do ta pasuronin regjimin dhe do ta zgjeronin kapacitetin e tij për të treguar forcën dhe për ta shtypur disidencën.

Natyrisht, negociatat arrijnë ta kryejnë këtë funksion vetëm sepse perëndimorët nuk e kanë kundërshtuar me seriozitet sjelljen sfiduese të Teheranit. Edhe përpara hapjes së negociatave në Vienë më herët këtë vit, iranianët e kishin bërë të qartë se do të merrnin pjesë vetëm nëse përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara do të mbaheshin të veçuar. Më pas, në qershor, ishte Irani që i ndërpreu negociatat kur ato ishin ende në vazhdim e sipër, duke thënë se, për shkak të zgjedhjeve presidenciale të Iranit, i gjithë procesi do të duhej të rivlerësohej.

Menjëherë pas rifillimit të bisedimeve në Vienë të hënën, Teherani filloi të përsëriste kërkesën e tij që të gjitha sanksionet amerikane të hiqen menjëherë, përpara se të ndërmerret ndonjë hap tjetër drejt rivendosjes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Kjo, natyrisht, nuk është bindëse për pjesëmarrësit perëndimorë në këto bisedime, veçanërisht duke patur parasysh se regjimi iranian ka bërë investime të mëdha në avancimin e programit të tij bërthamor që kur marrëveshja filloi të prishet. Tani ai është duke pasuruar një sasi uraniumi deri në 60 për qind dhe ka prodhuar material që është thelbësor për një armë bërthamore, por që nuk ka funksion civil.

Duke vepruar kështu, regjimi iranian i ka mohuar popullsisë së tij të shtypur investime të konsiderueshme, dhe në fakt i ka ulur edhe më shumë shanset që që vendit t’i lehtësohen sanksionet. Ashtu si me çështjet e brendshme të Iranit, objektivi kryesor këtu është qartësisht të projektohet një imazh force, por rezultati kryesor ka më shumë gjasa të jetë që Teherani të bëhet më i dobët ndaj kundërvënies së koordinuar nga kundërshtarët brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA