Ish-lideri demokrat Sali Berisha dhe demokratët që e mbështesin kanë kërkuar mbledhjen e Kuvedit Kombëtar në 11 dhjetor.
Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke caktuar një datë tjetër për Kuvendin, 18 dhjetorin.
Tani që jemi zyrtarisht në dhjetor dhe pranë këtyre dy datave, Arben Ristani në një prononcim për mediet nga Korça është shprehur i bindur se takimi do të zhvillohet në datën 11.
“Në datën 11, kuvendi i PD, i thirrur nga mbi 1/4 e anëtarëve do të mblidhet për të ndryshuar statutin e PD, për të shqyrtuar veprimtarinë anti statutore të kryetarit të PD dhe për të rifutur në statutin e PD dispozita të cilat do të bëjnë të mundur mbajtjen e referendumeve në PD.
Janë dorëzuar para disa kohësh siç jeni në dijeni, mbi 4200 firma të anëtarëve të kuvendit të PD, firmat janë në masë të mbledhura nga anëtarët e kuvendit, sigurisht me vullnetin e plotë të tyre. Janë dorëzuar në zyrat e këshillit kombëtar të PD, kanë qenë të hapur për medien e për çdo të interesuar për tu verifikuar. Nga ana tjetër keni deklarime të përditshme të anëtarëve të kuvendit nga degë të ndryshme të PD, shembuj të deputetëve të cilët kanë shkuar për t’i verifikuar këto firma kështu që është jashtë çdo dyshimi që firmat janë me vullnet të plotë. PD vepron në kushte të sovranitetit të saj, është vullneti i anëtarëve jo vetëm të kuvendit por të të gjithë PD, për të zgjedhur atë që ata mendojnë se e drejtojnë drejt fitores dhe prosperitetit. Se çfarë do zgjedhin, e se si do e zgjedhin, kjo mbetet për tu parë gjatë zgjedhjeve. Ky kuvend nuk do ta mbyllë këtë proces por do ta hapë atë.
Sipas demokratit, pas kuvendit do të ketë zgjedhje në të gjitha degët e PD dhe zgjedhje të kryetarit të PD me sistemin një anëtar një votë.
“Kjo mbetet në vullnetin e anëtarëve të PD-së. Ndërkohë Berisha është tërësisht i lirë në vullnetin e tij, për të ofruar punën e tij dhe mundësitë e tij për PD. Për mendimin tim kuvendi i vetëm është ai i vullnetit të anëtarësisë të PD, i cili do të mblidhet në datën 11. Kini parasysh demokracia është vullneti i shumicës dhe shumica do të mblidhet në datë 11”.
Më tej, Ristani thotë se nuk do të ketë në 18 një kuvend, “të paktën jo një kuvend shumice. Do të ishte në nder dhe të pakicës të vinte në kuvendin e shumicës, të kishte mundësinë të verifikonte mbledhjen e shumicës dhe në këtë mënyrë të shkonim të gjithë drejt një procesi të rregullt e të pranuar nga të gjithë. Është në detyrën e pakicës të vijnë sepse organet drejtuese të PD edhe për aq sa në gjithë procesin e parregullt në të cilën janë zgjedhur sekretariatet, por përsëri e kanë për detyrë të vijnë. Që në fillim të kësaj lëvizje kurrë nuk e kemi patur një problematikë midis Berishës dhe Bashës.
Është një problematikë dhe një konflikt midis anëtarëve të PD dhe kryetarit i cili shkel statutin në mënyrë të vazhdueshme. Konflikti nuk është midis Bashës dhe Berishës dhe nuk mund të zgjidhet midis tyre, ai është mes anëtarëve të PD dhe kryetarit Basha. Kryetari i cili e përsëris edhe një herë e ka çuar partinë nga një humbje në një tjetër”, u shpreh Ristani.
Disa ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi caktoi si datë për Kuvendin Kombëtar 18 dhjetorin dhe bëri publik rendin e ditës:
1.Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
2.Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimine Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
3.Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
4.Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.
5.Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.
6.Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH.
7.Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Top Channel