Kukësi do të presë Egnatian për takimin e javës së 10-të të Abissnet Superiores në stadiumin e Laçit.
“Zeqir Ymeri” nuk është ende gati dhe verilindorët janë të detyruar të vijojnë të luajnë larg shtëpisë, por duke ndryshuar për të gjashtën herë këtë edicion stadiumin si pritës.
Mes Kupës dhe kampionatit, skuadra kuksiane ka zhvilluar këtë sezon 6 ndeshje, nga të cilat ka marrë 5 fitore dhe vetëm 1 humbje. Ndaj Kastriotit dhe Teutës skuadra e Longos ka luajtur në “Elbasan Arena”, ndeshja e turit të parë të Kupës së Shqipërisë me Maliqin u zhvillua në Kompleksin Stërvitor të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, suksesin ndaj Vllaznisë e regjistroi në Rrogozhinë, në stadiumin “Egnatia”, ndërsa takimin me rrogozhinasit në Kupë e zhvilluan në Vlorë, në impiantin Flamurtari, për të shkuar më pas në Shkodër, ku Tirana pësoi humbjen e parë.
Nga Elbasani, në Kamzë, Rrogozhinë, Vlorë, Shkodër dhe tani në Laç. Diçka që ndoshta mund të regjistrojë një rekord unik, pasi vështirë se një skuadër të zhvillojë 7 ndeshje si pritëse në 6 stadiume të ndryshme. Sa u takon rezultateve, verilindorët duket se janë mësuar dhe nuk u bën përshtypje më faktori fushë, pasi praktikisht të gjitha ndeshjet i luajnë si udhëtuese, paçka se shënohen si pritës në gjysmën e tyre.
Jashtë fushe, Kukësi ka luajtur në stadiumin e Librazhdit, në stadiumin e Kamzës, në “Air Albania” dhe në stadiumin “Skënderbeu”. Praktikisht verilindorët kanë zbritur në 9 stadiume në 13 ndeshjet e luajtura këtë sezon dhe impainti i Laçit do jetë i 10-ti për këtë sezon. / Supersport
Top Channel