Zaptimi i hapësirave publike mbetet një shqetësim për banorët e qytetit të Durrësit ku trotuaret janë të zëna nga tavolina lokalesh dhe makina.
Sheshet pranë pallateve dhe përgjatë rrugëve, të bllokuara me zinxhirë, trarë e blloqe betoni.
“I gjithë bulevardi në Durrës është plot me karrige të bar-restoranteve. Është shqetësuese pasi ka prindër me karroca e të tjerët që duan hapësirën e vet se fundja për këmbësorët janë ndërtuar. Shpresoj të merren masa.”
“Janë tepër shqetësuese. Të detyrojnë të ecësh në rrugë ku ka shumë trafik. Nuk dimë nga të ruhemi.”
“Çdo gjë është e mbyllur mezi kalohet.”
“Njeriu duhet të ecë lirshëm në trotuare. Lokali të shfrytëzohet brenda.”
Policia bashkiake dhe struktura të tjera ligjzbatuese në Durrës po ndërhyjnë për t’i kthyer qytetarëve, çdo hapësirë të zënë në mënyrë të paligjshme. Por aksioni ka lënë të pakënaqur mjaft biznese, që jashtë kamerës shprehen se ligji nuk po zbatohet njësoj për të gjithë. Edhe qytetarët kanë rezervat e tyre mbi kohëzgjatjen e efekteve të këtij aksioni, si dhe nevojën për të disiplinuar situatën e vendparkimeve në qytet.
“Kam parë që bashkia po punon, po nuk e di sa do të realizohet dhe sa do të vazhdojnë këto, pasi zakonisht bëjnë një muaj punë dhe pastaj e harrojnë.”
“Secili banor i lagjes të ketë letrën te makina. Të tjerët të gjobiten. Vijnë e ta vejnë makinën te shkallët e pallatit. Pse?! ”
Shumë subjekte ndërkohë kanë nxituar të aplikojnë pranë bashkisë për te marre lejen e shfrytëzimit të hapësirave publike për qëllime biznesi.
Top Channel