Pas incidentit të rëndë të ndodhur në Krujë, ku u helmuan mbi 500 qytetarë nga uji, Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të premte një takim me kryebashkiakët për të folur rreth analizës së përformancës së sektorit ujësjellës-kanalizimeve.
Kryeministri tha në fjalën e tij se kampione për shpërdorimin e fondeve dhe keqmenaxhim është bashkia e Vlorës, që ka regjistruar 78.9% humbje në këtë sektor, shifra më e madhe në radhët e bashkive të tjera.
Rama thotë se numri i punonjësve në institucionin e ujësjellësit është sa një armatë e ndonjë shteti 10 herë më të madh se Shqipëria, ndërkohë që shton se ka punonjës që nuk kanë lidhje me profilin e madje marrin rrogën e tyre pa qenë prezentë në vend!
Kryeministri paralajmëron se qeveria do të veprojë nga këto abuzime të kryera, duke thënë se qeveria nuk do të jetë vetëm në pozitën e financuesit për këto shërbime por do të përfshihet në aktivitetin e tyre.
Rama: Kam listën këtu dhe nuk po hy ti marr me radhë, po marr kampionin, bashkinë e Vlorës 78.9 përqind humbje. Ca domethënë kjo? Dmth një kompani e falimentuar si një piramidë që vazhdon merr para nga shteti dhe si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe nuk mund të trajtohet si çdo mall tjetër kur vjen puna te domosdoshmëria. Si mund të vazhdoj kështu kjo histori? Si mund të jenë në punë këta drejtor ujësjellësish, si mundet që numri i të punësuarve është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria? Fjalët janë thënë, është koha për të vepruar dhe natyrisht siç folëm për mbetjet, edhe në këtë drejtim qeveria nuk do rri në pozitën e financuesit të këtyre shërbimeve por do përfshihet aktivisht në këto shërbime. Nuk do lejojmë më që paratë e popullit të abuzohen në këtë farë feje nga keqqeverisja ekstreme dhe shpërdorimit të të ardhurave. E para duke paguar si punonjës njerëz që s’kanë lidhje fare me profilin, madje edhe njerëz që nuk janë fare në Shqipëri dhe rezultojnë në librat e pagave të ndërmarrjeve. Duke pasur këtë lloj formacioni, shtresa e burimeve njerëzore kjo përkthehet në mos prerje të shërbimit për debitor dhe në rezultate të paimagjinueshme arkëtimi. Siç është bashkia Kavajë 31 % arkëtim, ndërkohë që ka edhe këtu diferenca.
Top Channel