Në Ballkan, një aleancë ruso-kineze krizash: Analistja “jep alarmin”

26/10/2021 15:20

Rusia dhe Kina po e përshkallëzojnë presionin ndaj partnerëve perëndimorë në krizën që po thellohet në Bosnje Hercegovinë, me rritjen e aktivitetit të Pekinit në këtë front, qe vihet re për të parën herë që nga fundi i luftës në vitet 1990.

Në një kohë kur BE dhe SHBA përpiqen që t’i bindin serbët e Bosnjës t’i japin fund bllokadës ndaj autoriteteve qeveritare, Moska dhe Pekini po kërkojnë një mbyllje të shpejtë të administratës ndërkombëtare atje, e cila është e veshur me kompetenca të veçanta.

Pavarësisht se kushtet për mbylljen e misionit ende nuk janë përmbushur, Rusia dhe Kina këmbëngulin se tutela e jashtme nuk është më e nevojshme, pasi Bosnja është mjaftueshëm e qëndrueshme, thotë analistja e pavarur Julia Petrovskaya.

Ajo kujton se Moska dhe Pekini kanë njoftuar se nuk do ta njohin administratorin e ri ndërkombëtar në Bosnje. Nga ana tjetër, ato vazhdojnë ndikimin edhe me situatën në Kosovë, duke sulmuar Perëndimin dhe integrimin e Kosovës në komunitetin global.

Në nivelin diplomatik, Rusia dhe Kina kanë qenë më aktive se çdo vend tjetër në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë, dhe në pengimin e përpjekjeve të Kosovës për t’u pranuar në OKB që pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008.

Petrovskaya thotë se interesat e Pekinit janë më shumë ekonomike, ndërsa Moska manipulon hapur dallimet dhe frikat e grupeve të ndryshme kombëtare dhe shpalos pareshtur propagandën e saj kundër NATO-s- dhe BE-së.

Muajt në vazhdim do ta tregojnë, shkruan Petrovskaya, nëse Rusia dhe Kina janë gati të shkojnë edhe më tej në konfrontimin politik me Washingtonin garantues të paqes në Ballkan, megjithatë sipas saj, NATO dhe BE kanë ende mjaftueshëm mjete për të krijuar një kundërpeshë ndaj këtyre trendeve negative.

Top Channel