Mbytet gomonia në Greqi, vdesin 4 fëmijë emigrantë

26/10/2021 16:06
Gomonia me azilkërkues

Ministri grek i Emigracionit konfirmoi se katër fëmijë kanë humbur jetën, pasi një gomone me emigrantë u përmbys në afërsi të ishullit të Kios. 

22 persona u arrit të shpëtoheshin nga vdekja, ndërsa të paktën një emigrant konsiderohet i zhdukur.

Ministri Notis Mitarachi tha se mosha e të miturve të mbytur është nga 3 deri në 14 vjeç.

Mitarachi e akuzoi Turqinë për mosrespektim të një marrëveshjeje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian.

“Autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimet nga bandat kriminale. Këto udhëtime nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin”, deklaroi ai.

Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë – rreth 4 milionë dhe thotë se BE-ja është e ngadalshme në përmbushjen e premtimeve për mbështetje financiare.

Emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të mbërrijnë ne vendet e Bashkimit Europian i largohen më së shumti luftrave dhe varfërisë në Lindjen e Mesme e  Azinë Jugore.

Tragjedia ndodhi pak javë pas përmbytjes së një varke me emigrantë pranë brigjeve të Afrikës Veriore, ku humbën jetën 4 tunizianë, ndërsa 19 persona të tjerë nuk u gjetën më.

Top Channel