Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka paralajmëruar sot Bashkimin Evropian të mos vijojë duke “mbajtur armën në kokën tonë,” duke kërcënuar nga ana e tij se Varshava do të mbrohet “me çdo mjet të mundshëm” nëse ndërpritet programi i fondeve të rekuperimit nga Covid-19.
Deklarata me fjalë të fuqishme erdhi pasi Komisioni Evropian ka kërcënuar të pezullojë grantet dhe huatë për Poloninë pas vendimit të kontestuar të gjykatës së lartë të vendit që i dha prioritet ligjeve kombëtare përballë atyre të BE.
“Çfarë do të ndodhë nëse KE nis një Luftë të Tretë Botërore? … Në do të mbrojmë të drejtat tona me çdo armë që kemi në dispozicion”, tha Morawiecki, kur u pyet nga rrjeti ‘Financial Times’ nëse Polonia do të kundërshtojë me veto legjislacionin e rëndësishëm të BE për ndryshimet klimatike.
“Ne besojmë se është diskriminuese të marrim këtë qasje në formë diktati nga Brukseli. Por nëse vazhdon të përkeqësohet, edhe ne do të mendojmë strategjinë tonë”, shtoi ai.
Kryeministri e përshkruante më tej pezullimin e grantit €36-miliardë post-pandemi, si një “shkelje e rendit ligjor” duke thënë se polakët nuk do të dorëzohen.
Për të gjetur kompromisin BE duhet të tërheqë vendimin e gjobitjes së përditshme të Varshavës deri në zbatimin e vendimit të Gjykatës Evropiane të drejtësisë për reformën në drejtësi.
“Kjo do të ishte gjëja më e zgjuar që mund të bëjnë sepse nuk ka kuptim t’i flasim njëri-tjetrit me pistoletën te koka. Kjo situatë humbet dëshirën për vijimin e veprimeve”, tha ai.
Morawiecki tha gjithsesi se bisedimet e fundit me liderët e BE si kancelarja në largim Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron, dhe shefja e KE, Ursula von der Leyen – ishin “të kënaqshme,” dhe se megjithë mosmarrëveshjet, nuk ka ende një rrezik të një “Pol-exit”.
Muajin e kaluar Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi se disa nene të ligjit themelor të Bashkimti Evropian bien në konflikt me ligjet e Polonisë, dhe se institucionet evropiane po veprojnë “përtej kompetencave të tyre”.
Top Channel