Polonia akuzon BE për ‘shantazh’ ndaj të drejtave ligjore kombëtare (fotot)

19/10/2021 18:15

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka akuzuar sot Bashkimin Evropian për ‘shantazh’ gjatë një debati të nxehur për rendin ligjor, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Përplasja në Parlamentin Evropian erdhi pasi një gjykatë në Poloni ka refuzuar disa pjesë të ligjit themelor të BE.

Zonja von der Leyen tha më pas se do të veprojë për të parandaluar që Polonia të hedhë dyshime mbi vlerat e BE.

Në reagimin e tij Morawiecki refuzoi atë që quante “gjuhë kërcënuese” dhe akuzonte BE për tejkalim të kompetencave të veta.

Polakët janë në mbështetje të anëtarësisë në BE, sipas sondazheve të opininit, por qeveria e djathtë e vendit ka pasur shpoesh kontradikta me unionin për çështje si të drejtat e grupeve LGBT dhe pavarësia gjyqësore.

Debati i fundit vjen pas vendimit të paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë  që refuzoi parime themelore të Ligjit të BE mbi legjislacionet kombëtare të vendeve anëtare.

Çështja e ngritur nga kryeministri polak, është e para e një vendi anëtar ku hidhen dyshime mbi traktatet e BE nga një gjykatë kushtetuese kombëtare.

Sot Von der Leyen tha në Parlamentin Evropian se Komisioni Evropian, që është trupi ekzekutiv i BE, do të “vlerësojë me kujdes gjykimin”.

Ajo shtoi se situata duhet të zgjidhet, por shtoi: “Ky vendim hedh dyshime mbi themelet e Bashkimit Evropian dhe është një sfidë direkte ndaj unitetit të rendit ligjor evropian”.

Duke u zotuar të veprojë, Von der Leyen caktoi tre rrugë të mundshme veprimi si reagim ndaj gjykatës polake.

Sipas saj opsionet e mundshme janë sfidë gjyqësore ndaj vendimit të kontestuar, pezullim i fondeve të BE ose pezullim i disa të drejtave të Polonisë si vend anëtar.

BE ende nuk ka aprovuar €57 miliardë fonde të rekuperimit ndaj Covid-19 për Poloninë, dhe mund të mos e bëjë këtë deri në zgjidhjen e përplasjes.

Në fjalimin që kaloi kohën e tij të përcaktuar,  Morawiecki tha se Polonia “po sulmohet” nga liderët e BE dhe se ishte “e papranueshme të flitej për penalizime financiare”.

“Shantazhi nuk duhet të jenë një metodë politike,” tha Morawiecki, drejtues i partisë nacionaliste konservatore “Ligj e Drejtësi”, në pushtet në Poloni.

Top Channel