Mesazhi i fortë i Norvegjisë për Putin: Moska nuk mund të vendosë për lëvizjet e NATO-s

17/11/2026 23:01

Ministri norvegjez i Jashtëm tha se Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi aktivitetet ushtarake të NATO-s, as të diktojë mënyrën se si vendet evropiane organizojnë sigurinë e tyre.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, në një intervistë për mediat e huaja, kundërshtoi kërkesat e Moskës për ndryshimin e rendit aktual të sigurisë në Evropë.

Sipas tij, arkitektura e sigurisë evropiane nuk ka nevojë të rinegociohet. Vendet sovrane duhet të kenë të drejtën të zgjedhin vetë aleancat ku dëshirojnë të bëjnë pjesë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me këtë gjuhë për arkitekturën e sigurisë. Ne besojmë se kemi një arkitekturë evropiane të sigurisë. Nuk kishte asgjë të gabuar me të, derisa Rusia e shkeli atë”, deklaroi Barth Eide.

Kryediplomati norvegjez theksoi gjithashtu se asnjë marrëveshje për përfundimin e luftës nuk duhet t’i imponohet Ukrainës pa miratimin e saj.

“Për Ukrainën nuk duhet të vendoset asgjë pa Ukrainën”, u shpreh ai.

Barth Eide shtoi se pas një armëpushimi mund të zhvillohen bisedime me Moskën për kontrollin e armëve, mekanizmat e verifikimit dhe masat për ndërtimin e besimit mes palëve.

Sipas tij, këto diskutime mund të mbështeten në përvojat e krijuara gjatë Luftës së Ftohtë.

Ministri paralajmëroi gjithashtu kundër mundësisë që fuqitë e mëdha të arrijnë marrëveshje për ndarjen e botës në zona influence. Ai iu referua edhe Konferencës së Jaltës të vitit 1945, kur fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore diskutuan rendin e ri evropian.

“Gjëja e fundit që duam është një marrëveshje mes liderëve të fuqive të mëdha për ta ndarë botën mes tyre. Këto lloj zonash influence duhet t’i përkasin së kaluarës”, theksoi Barth Eide.

Deklaratat e ministrit norvegjez vijnë në një kohë kur po shtohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe kur Moska kërkon ndryshime në mënyrën se si organizohet siguria në Evropë.

 

Top Channel