Bajoneta e shpata, tensione në kufirin gjerman: Ndalohet patrulla e anti-emigrantëve

25/10/2021 13:46

Gjermania po i sheh me shqetësim lëvizjet në kufirin me Poloninë, i cili është kthyer në një pikë të nxehtë kalimi të emigrantëve të paligjshëm. Kjo e ka nxitur ministrin e brendshëm gjerman, Horst Seehofer të kërkojë forcimin e kufirit gjermano-polak.

Ne tashmë i kemi shtuar rojet kufitare atje me tetëqind policë të tjerë federalë“, deklaroi politikani i CSU, duke shtuar se po të jetë e nevojshme, ky numër do të rritet edhe më shumë.

Sipas Seehofer, 6.162 persona kanë kaluar gjatë këtij viti në mënyrë të paligjshme kufirin dhe kanë hyrë në Gjermani përmes Polonisë nga Bjellorusia. Vetëm në tetor, ka pasur  3.750 kalime ilegale kufitare vetëm në tetor.

Sipas autoriteteve, shumë prej emigrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë përmes Bjellorusisë vijnë nga Afganistani, Siria, Irani dhe Pakistani.

Kontrollet sakaq po shtohen edhe në kufirin me Austrinë. Ndërkohë në zonën Guben në Brandenburg, policia ka zbuluar 50 të dyshuar në kufirin me Poloninë, të cilët ishin të lidhur me partinë ekstremiste të krahut të djathtë, Rruga e Tretë. Sipas policisë, radikalët e djathtë donin të ndëmerrnin vetë masa kundër emigrantëve në kufi. Policia bën të ditur se këta persona ishin të armatosur me  bajoneta, shpata, shkopinj dhe objekte te tjera.

Brukseli e akuzon presidentin bjellorus Aleksander Lukashenko, se po i dërgon qëllimisht mijëra emigrantë në kufi me Poloninë me qëllimin të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian, si reagim ndaj sanksioneve të rrepta që kanë vendosur ndaj vendit të tij BE-ja dhe shtete të tjera perëndimore.

Top Channel