“Përse më dhanë një armë të mbushur”/ “Humb mendjen” aktori që vrau kolegen

23/10/2021 17:38

Pas ngjarjes së rëndë, Alec Baldwin që sapo kishte qëlluar për vdekje drejtoreshën e fotografisë, Halyna Hutchins dhe Joel Souzën, regjisorin e filmit të tij më të ri, nuk fliste me askënd por vetëm përsëriste pa reshtur: “Përse më dhanë një armë të mbushur”? 

Ylli i hollivudian ishte në gjendje shoku, pohojnë persona të tjerë që ndodheshin në shesh-xhirim. Gjatë gjithë kohës thoshte vetëm: “Përse”, ndërkohë që produksioni duket e kishte garantuar se pistoleta ishte e sigurtë. Në deklaratën e tij të parë pas tragjedisë, aktori tha se ndihej i shkatërruar nga kjo ngjarje.

“Më këputet shpirti për bashkëshortin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halynën”, ka shkruar ai, duke shtuar se nuk ka fjalë për të përcjellë pikëllimin për aksidentin tragjik që i mori jetën 42-vjeçares, “një bashkëshorte, nënë dhe kolege shumë e admiruar”.

The Guardian shkruan se tani, siguria në shesh-xhirime do të kalojë nëpër një sitë shumë më të kujdesshme.

Gazeta kujton sesi në 1993-shin, një neglizhencë e ngjashme i kushtoi jetën Brandon Lee-së, i qëlluar për vdekje gjatë xhirimeve të filmit “the Crow”.

Aktori Jon-Erik Hexum po kështu vdiq aksidentalisht pas një loje me ruletën ruse teksa xhirohej filmi Cover Up në 1984-ën, ndërsa tekniku i zërit Bryce Dion, u vra gjatë krijimit të dokumentarit Cops, pas një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe një grabitësi në vitin 2018.

Top Channel