Gjyqi për vrasjen e aktivistit gay/ Interes i jashtëzakonshëm për gjyqin, aktivistit u vra 3 vjet më parë

21/10/2021 02:20

Aktivistë të të drejtave të njeriut janë mbledhur para gjykatës së Athinës, pak para fillimit të gjyqit për vrasjen brutale të aktivistit homoseksual Zhak Kostopulos, në një trotuar në qendër të kryeqytetit grek më 21 shtator 2018.

Të pandehurit, pronari i një dyqani bizhuterish, një ndërmjetës i pasurive të paluajtshme, si dhe katër oficerë policie mohojnë akuzën për lëndime trupore fatale të 33-vjeçarit Zhak.

‘Të gjithë duhet të marrin pjesën e tyre të fajit. Ata duhet të thonë të vërtetën. Videoja është atje, e gjithë bota e ka parë dhe do të dëshmojë se kush është i pafajshëm dhe kush është fajtor. Të gjithë duhet të gjykohen’- tha gjyshja e viktimës. Pamjet nga kamerat e sigurisë që u publikuan tregojnë Kostopulosin duke u përpjekur të dalë nga një dyqan bizhuterish që ishte i mbyllur, duke thyer derën e xhamit të dyqanit me një zjarrfikës, ndërsa nuk dihet se si kishte hyrë.

I shtrirë në tokë dhe i plagosur nga xhamat, ai është linçuar me një mizori të jashtëzakonshme nga disa persona jashtë dyqanit. Duke besuar se ai ishte një hajdut i droguar, oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje gjithashtu e rrahën dhe e prangosën, ndërsa ai shtrihej i gjakosur në trotuar, I rrethuar nga një turmë njerëzish. Disa orë më vonë 33-vjeçari është deklaruar i vdekur në spital. Të pandehurit ,3 vjet pas vrasjes vazhdojnë të jenë të lirë, madje oficerët e policisë janë ende në detyrë.

Gjyqi, i cili u shty për një kohë të pacaktuar vitin e kaluar për shkak të pandemisë është pritur me interes të madh nga mediat dhe opinioni publik, pasi kushtet në të cilat 33-vjeçari humbi jetën kishin tronditur shoqërinë greke.

Gjithashtu përfaqësues të partive të majta opozitare, sindikaliste, njerëz të artit midis tyre edhe këngëtari i shquar Jorgos Dalaras kanë filluar një fushatë në rrjetet sociale për të informuar opinionin publik në lidhje me vrasjen e Zhak Costopulos dhe gjyqin në vazhdim.

Top Channel