Bandat rrëmbejnë gati 800 persona deri më tani në Haiti

21/10/2021 17:32

Afërsisht 800 rrëmbime janë raportuar këtë vit në Haiti, sipas organizatave jo qeveritare, të cilat deklarojnë se bandat e armatosura po zgjerojnë kontrollin e tyre, duke shfrytëzuar klimën e paqëndrueshme politike në vend.

Qendra për Analizë dhe Kërkime për të Drejtat e Njeriut (CARDH) tha se 119 persona janë rrëmbyer vetëm 15-të ditëshin e parë të këtij muaji.

Njerëz të te gjitha shtresave sociale, vendas dhe të huaj, janë vënë nën shënjestër. Rasti më i fundit përfshin rrëmbimin e 17 misionarëve që vinin nga SHBA-ja dhe Kandaja.

Siguria në Haiti është përkeqësuar ndjeshëm që nga vrasja në korrik e presidentit Jovenel Moise. Grupet rivale po luftojnë për të marrë kontrollin e vendit, përballë një policie të dobët.

Qytetarët nuk i besojnë policisë në Haiti dhe ky është një problem i madh, pasi s’mund të kemi një polici efikase nëse popullsia nuk bashkëpunon me të”, tha Gedeon Jean, drejtori i CARDH.

Jean tha se duke iu referuar statistikave të organizatës të paktën dy policë janë anëtarë të një grupi të armatosur dhe disa të tjerë ofrojnë mbulim për këto banda ose ndajnë informacione me to.

Sipas kësaj organizate, të paktën 782 rrëmbime janë raportuar deri më 16 tetor të këtij viti, krahasuar me 796 rrëmbime që ndodhën një vit më parë.

Ai tha se shifrat e këtij viti mund të jenë më të larta, pasi shumë njerëz nga frika e hakmarrjes së bandave, nuk i raportojnë rastet e rrëmbimeve.

Rritja e akteve të dhunës dhe gjendja e rëndë ekonomike, e përkeqësuar akoma edhe më shumë nga disa fatkeqësi natyrore që ndodhen gjatë viteve të fundit, kanë bërë që një numër shumë i madh i popullsisë vendase të largohet nga Haiti, duke kërkuar mundësi të reja në vende të tjera.

Top Channel