Shtëpia e Bardhë shpalos planin për vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç

20/10/2021 19:09

Shtëpia e Bardhë zbuloi sot një plan për të vaksinuar fëmijët midis moshave 5 dhe 11 vjeç kundër koronavirusit (COVID-19), gjë që aktualisht po shqyrtohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

“Miliona adoleshentë të moshës 12-17 vjeç janë vaksinuar në mënyrë të sigurt dhe ne e dimë se vaksinat funksionojnë”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Individët e vaksinuar plotësisht kanë dhjetë herë më pak gjasa të shtrohen në spital me COVID-19 dhe kanë një shkallë të lartë mbrojtjeje, përfshirë kundër variantit Delta”, thuhet më tej.

Administrata e presidentit Joe Biden ka siguruar mjaft vaksina për të vaksinuar 28 milionë fëmijë të moshës 5-11 vjeç me një dozë të vetme të vaksinës Pfizer-BioNTech nëse autorizohet nga FDA dhe rekomandohet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Administrata amerikane tha se po fillon gjithashtu një partneritet me Shoqatën e Spitaleve të Fëmijëve për të punuar me më shumë se 100 sisteme spitalore të fëmijëve në gjithë SHBA-në për të krijuar pika vaksinimi nga nëntori deri në fund të vitit.

“Prindërit i dinë dhe u besojnë spitaleve të fëmijëve që të jenë atje për nevojat mjekësore të fëmijëve të tyre, dhe këto përpjekje për vaksinim nuk do të jenë ndryshe. Pediatrit, specialistët pediatrikë, infermierët dhe anëtarët e ekipeve do t’i administrojnë vaksinat te fëmijët në mjedise të besuara, miqësore ndaj familjeve, që u shërbejnë fëmijëve çdo ditë”, thuhet në deklaratë.

Shpërndarja e vaksinave do të bëhet përmes klinikave në zyrat e mjekëve, spitale, farmaci, qendra shëndetësore të komunitetit dhe pikat në shkolla dhe komunitete, njoftohet tutje.

Vendimi për të vaksinuar fëmijët e moshave 5 deri në 11 vjeç vjen para takimit të komitetit këshillues të FDA-së më 26 tetor dhe takimit të CDC-së më 2-3 nëntor.

Shtëpia e Bardhë tha se 189 milionë amerikanë, ose 2 në 3 individë të kualifikuar, janë plotësisht të vaksinuar./AA/

Top Channel