Dy ish-ushtarë arrestohen në Gjermani, po planifikonin krijimin e një grupi paramilitar

20/10/2021 16:53

Dy ish-ushtarë në Gjermani janë arrestuar, pasi akuzoheshin se po përpiqeshin të krijonin një grup paramilitar për të ndërhyrë në konfliktin ushtarak në Jemen.

Autoritetet gjermane thanë se dy ish-ushtarakët, të identifikuar si Arend-Adolf G dhe Achim A, u arrestuan këtë të mërkurë në Gjermani.

Ata janë shtetas gjermanë dhe ish-ushtarë në Bundeswehr, forcat e armatosura të Gjermanisë.

Në një deklaratë për mediat, prokurorët thanë se dy ish-shtarakët akuzohen si “kokat” e krijimit të një organizate terroriste.

Sipas prokurorisë këta dy persona dyshohet se po organizionin në fillim të vitit 2021 krijimin e një grupi paramilitar, të përbërë nga 100 deri në 150 ish-ushtarë ose anëtarë të policisë.

Arsyeja kryesore e krijimit të këtij grupi ishte fitimi i një shume parash prej 40 mijë euro në muaj. Ata, thanë prokurorët, do t’i shërbenin palëve të treta, veçanërisht Arabisë Saudite.

Arabia është përfshirë në këtë konflikt në Jemenin fqinj, me qëllim luftimin e grupit rebel Houthi.

Një nga të dyshuarit, Achim A, u përpjek për një periudhë të gjatë kohore për të nisur një bashkëbisedim me zyrtarë të qeverisë saudite, në mënyrë që të financohej projekti”, thanë prokurorët.

Ai u përpoq në shumë mënyra për të krijuar një kanal komunikimi me agjencitë qeveritare saudite, në mënyrë që të takoheshin dhe të paraqisnin ofertën e tyre”.

Sipas prokurorëve përpjekjet e tyre ishin të kota, pasi agjencitë qeveritare saudite të kontaktuara nga ata nuk treguan asnjë interes.

Prokurorët deklaruan se ata ishin të vetëdijshëm se ndërhyrja ushtarake e tyre në Jemen do të kërkonte në mënyrë të pashmangshme vrasje njerëzish, plagosje apo vrasjen e popullsisë civile.

Top Channel