Alexei Navalny merr çmimin më të madh të BE-së për të drejtat e njeriut

20/10/2021 15:25
Navalny fajësonte Putin se kërkonte ta dëbonte nga Rusia.

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny të mërkurën është shpallur fitues i Çmimit Sakharov për Lirinë e Mendimit, çmimi më i madh i Bashkimit Evropian për “avokatët” e të drejtave të njeriut.

Navalny u zgjodh nga anëtarët e Parlamentit Evropian, gjatë një sesioni plenar në Strasburg.

Ai u nominua së bashku me politikanën boliviane Jeanine Anez dhe gratë afgane, të cilat janë aktiviste të njohura për të drejtat e njeriut.

Navalny, armiku më i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, u burgos këtë vit, pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku u shërua nga helmimi me agjentë nervor, për të cilin akuzon Kremlinin.

Anez, shërbeu si presidente e përkohshme e konservatorëve të Bolivisë, një vit para se ajo të arrestohej. Arrestimi i saj erdhi në kohën kur zyrtarë të qeverisë së majtë, filluan të ndjekin penalisht të gjithë personat që u përfshinë në rrëzimin e udhëheqësit socialist Evo Morales, në vitin 2019.

Që kur talibanët morën pushtetin në Afganistan, pas largimit të forcave ushtarake amerikane, gjendja e grave atje ka zënë hapësirën kryesore të debatit në botë.

Pavarësisht premtimeve fillestare për të mbrojtur të drejtat e grave në arsim dhe në punësim, talibanët janë vënë nën kritika të ashpëra, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, për mosrespektimin e këtyre të drejtave.

Gratë e nominuara për Çmimin Sakharov janë aktiviste të njohura të të drejtave të njeriut, një gazetare dhe shumë emra të kulturës.

Çmimi ka një vlerë prej 50 mijë euro dhe do të jepet më pas, më datë 15 dhjetor, gjatë një sesioni të Parlamentit Evropian.

Top Channel